I preu kokën kushëririt, i akuzuari dorëzohet në polici

Gjykata e Tiranës ka shpallur arrest me burg për 27-vjeçarin Krenar Terpollari, nën akuzë për vrasje në rrethana cilësuese, pas dyshimeve të shtetit grek se ai është një ndër bashkautorët që vrau në Greqi dhe i preu kokën kushëririt të tij Bledar Terpollari.

Lajme

08/06/2016 23:19

Burime konfidenciale i thanë “Top Channel” se, i riu nga Skrapari është vetëdorëzuar dy ditë më parë në Policinë e Tiranës, ndërkohë që Gjykata e Thesprotisë në Greqi ka dërguar me urgjencë masën e shpallur në mungesë.

Për këtë arsye, gjyqtarja Manjola Xhaxho dha arrest me burg për vrasje në rrethana cilësuese, mbajtje pa leje të armëve të ftohta dhe prodhim pa leje të armëve sportive. Terpollari përmendet nga dy të arrestuarit në Greqi, Emiliano Nana dhe Pajtim Jaupi, se më 9 maj vrau e mandej i preu kokën kushëririt të tij për 20 mijë euro.

Nga rrëfimi i shokëve të tij në Greqi, Krenar Terpollari dyshohet ta ketë marrë kokën e viktimës për ta sjellë në Shqipëri si provë se porosinë e kishte kryer. Ka dyshime se krimi makabër ka ndodhur për prishje të pazareve të drogës.