I akuzuari që pranoi fajësinë për vjedhjen e telefonit të Lumezi, mbetet në arrati

Leutrim Kaqiu, që ishte arratisur pasi kishte pranuar fajësinë për aktakuzën e prokurorisë që e ngarkonte atë për vjedhjen e një telefoni të markës “Samsung”, në shtëpinë e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksander Lumezi, vazhdon t’i shmanget drejtësisë edhe pas 10 muajsh.

Lajme

17/05/2018 16:06

Kaqiu, në seancën fillestare të mbajtur më 8 qershor 2017, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Kujtim Munishi, që e ngarkonte atë për disa vepra penale, të ndarë në 10 dispozitivë, e kishte pranuar fajësinë për veprën penale të “vjedhjes së rëndë”, që kishte të bënte për vjedhjen në shtëpinë e Kryeprokurorit dhe një vjedhje në një lokacion tjetër

Së bashku me Kaqiun po akuzohen edhe Mehmet Morina dhe Nazmi Gashi, por të njëjtit nuk e kishin pranuar fajësinë për asnjërën pikë të aktakuzës.

Lajmin për arratisjen e Kaqiut për “Betimi për Drejtësi”, e kishte konfirmuar prokurori Munishi, i cili kishte thënë se ai ishte arratisur në javën e parë të muajit korrik të vitit 2017.

Edhe pse nga korriku i vitit të kaluar, tani kanë kaluar më tepër se 10 muaj, Kaqiu, ende nuk është bërë i arritshëm për organet e drejtësisë, çka ka ndikuar që nga 8 qershori i vitit 2017, të mos vazhdohet me procedurën gjyqësore.

“Betimi për Drejtësi”, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, informacione nëse është arrestuar Kaqiu dhe nëse gjykatësi i rastit Naser Foniqi ka caktuar seancë gjyqësore, por zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar se Kaqiu, është ende në arrati dhe për shkak të këtij fakti, ende nuk është caktuar seanca nga gjykatësi Foniqi.

“Lidhur me kërkesën tuaj ju njoftojmë se kjo lëndë do të caktohet për shqyrtim,  pasi që të sigurohet prania e të akuzuarit L. K, për të cilin gjykata ka lëshuar urdhërarrest”, ishte përgjigja e zëdhënëses Gashi.

“Betimi për Drejtësi”, ka kontaktuar edhe mbrojtësin e Kaqiut, avokatin Ali Beka, por ai tha se nga koha e arratisjes nuk ka asnjë informacion lidhur me të mbrojturin e tij.

“Betimi për Drejtësi”, ka provuar të kontaktojë edhe me prokurorin Munishi, por kontakti me të ka qenë i pamundshëm.

Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 8 qershor, pas propozimit të mbrojtjes së të akuzuarve, ishte marrë vendim që tre të akuzuarve t’iu zëvendësohet masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 30 maj 2017, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Leutrim Kaqiu, Mehmet Morina dhe Nazmi Gashi  për veprat penale “vjedhje e rëndë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Kaqiu akuzohet edhe për veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, Morina për veprën penale “ndihma në kryerjen e veprës penale vjedhje e rëndë”, ndërkaq Gashi edhe për veprat penale “blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.

Sipas aktakuzës, Leutrim Kaqiu, më 22 nëntor 2016, rreth orës 03:25 në lagjen “Veternik” në Prishtinë, së bashku me të dyshuarin Armend Morina, i cili gjendet në arrati, të pajisur me maska dhe armë zjarri, me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja, kanë depërtuar me forcë në shtëpinë e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi. Këtë e kanë bërë duke hapur derën e ballkonit me një kaçavidë, nga pjesa e prapme e shtëpisë, e cila pjesë nuk shihet nga kabina ku bëjnë roje zyrtarët policorë që sigurojnë shtëpinë e Kryeprokurorit. Të njëjtit, sipas aktakuzës, kanë hyrë brenda, pastaj kanë hapur edhe derën e pushimores e cila ishte e mbyllur me çelës dhe janë drejtuar për në sallon. Nga aty kanë marrë një telefon celular të markës “Samsung” të papërdorur. Gjatë kësaj kohe, familjarët e të dëmtuarit kanë qenë duke fjetur në katin e dytë të shtëpisë, ku me të dëgjuar zhurmën kanë zbritur poshtë. Të pandehurit përderisa largohen shpejtë nga shtëpia e Kryeprokurorit Lumezi, harrojnë një kaçavidë mbi murin e oborrit të shtëpisë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Kaqiu dhe Morina kanë shkuar në shtëpinë e kryeprokurorit me veturën e markës “BMË X5” me ngjyrë të kaltër, e cila drejtohej nga i pandehuri tjetër Mehmet Morina, përkatësisht vëllai i të dyshuarit të arratisur. Ky i fundit ka bërë roje nga jashtë, përkatësisht nga një pozicion ku duket shtëpia e të dëmtuarit, derisa dy të lartpërmendurit e kryenin vjedhjen.

Ndërkaq, i pandehuri Nazmi Gashi blen telefonin e vjedhur nga shtëpia e Kryeprokurorit Lumezi, edhe pse ishte në dijeni për një gjë të tillë.

Ndryshe, Kaqiu, Morina dhe Gashi po akuzohen edhe për disa raste të tjera të vjedhjes, me qëllim që vetit t’i sjellin dobi pasurore.

Leutrim Kaqiu kishte pranuar fajësinë  për veprën penale “vjedhje e rëndë”, që lidhet me këtë rast dhe një vjedhje tjetër. Mirëpo, i njëjti nuk pranoi se ka kryer edhe veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Ndërkaq, dy të akuzuarit tjerë Morina dhe Gashi ishin deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat me të cilat i  ngarkon aktakuza.

Përveç këtij rasti, arratisje kishin ndodhur edhe në rastet e të dënuarve me burgim.

Një rast i tillë, kishte ndodhur më 30 shtator të vitit të kaluar, kur Shërbimi Korrektues i Kosovës kishte dështuar të ruajë Avni Osmanin, që ndodhej për trajtim në QKUK, e i cili ishte dënuar me 29 vjet e gjashtë muaj burgim, pasi ishte shpallur fajtor për vrasje të rëndë në vitin 2004.