Hungaria i kërkon KE-së hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë

Ndryshe nga vendet e tjera anëtare të BE-së, të cilët e kanë lidhur pandashmërisht hapjen e negociatave të Shqipërisë për në BE me Reformën në Drejtësi, Hungaria ka kërkuar me insistim nga Komisioni Evropian propozimin për hapjen e negociatave, pa përmendur Reformën në Drejtësi.

Lajme

21/06/2016 16:22

Këto deklarata janë bërë nga ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szijjártó (Piter Sijarto) gjatë takimit të zhvilluar në Budapest me homologun e tij shqiptar, Ditmir Bushati.

Kreu i diplomacisë hungareze ka shkuar dhe më tej, kur ka theksuar se interesat strategjikë të vendit të tij janë stabiliteti dhe paqja në Ballkanin Perendimor dhe se integrimi i Shqipërisë është shumë i rëndësishëm në këtë aspekt.

Ministri Bushati nga ana e tij vlerësoi mbështetjen e Hungarisë në rrugën evropiane të Shqipërisë, si dhe marrëdhëniet shumë të mira politike mes dy vendeve. Dy ministrat diskutuan mundësitë për të rritur më shumë bashkëpunimin ekonomik.

E në kuadër të saj është rënë dakord që brenda dhjetorit të rifillojnë fluturimet ajrore direkte Tiranë-Budapest.