Hoxhaj dhe Davutoglu flasin për dialogun

Hoxhaj dhe Davutoglu bisedojnë për bashkëpunimin Kosovë-Turqi, si dhe për dialogun Kosovë-Serbi. Shefi i diplomacisë turke po qëndron në një tur vizitash në Rajon.

Lajme

05/10/2013 14:04

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me homologun e tij turk Ahmet Davutoglu.

Ndër temat që janë diskutuar gjatë kësaj bisede ishin ecuria e bisedimeve Kosovës-Serbi. Në një komunikatë të MPJ’së, bëhet e ditur se ministri Hoxhaj i ka thënë homologut të tij turk se kaptina e normalizimit të marrëdhënieve mund të shkruhet vetëm përmes implementimit të marrëveshjes.

Hoxhaj gjatë bisedës e ka njoftuar ministrin Davutoglu edhe për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës dhe për forcimin e pozitës ndërkombëtare, përmes njohjes universale të saj.

Ndërsa, ministri turk, Davutgolu, ka vlerësuar lartë progresin në Kosovë.

Ai po ashtu i ka rikonfirmuar ministrit Hoxhaj mbështetjen e Turqisë për fuqizimin e gjithanshëm të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, ministri i jashtëm turk, është duke zhvilluar një vizitë dyditore në Shqipëri. Takimin e parë ministri turk e zhvilloi me homologun e tij Ditmir Bushati.

Në një koherencë të përbashkët për media, ministrat e jashtëm të dy vendeve kanë potencuar thellimin e marrëdhënieve në mes Shqipërisë dhe Turqisë.

“Organizimi i takimeve të përbashkëta të dy qeverive do jetë një nivel i ri dhe një hap më i madh mes vendeve tona. Miqësia dhe bashkëpunimi vëllazëror do të institucionalizohen akoma më shumë. Për ne Shqipëria është një vend i hapur drejt rajonit”, tha Davutoglu, transmeton Top Channel.

Ndërsa, ministri Bushati e vlerësoi Turqinë si një partner shumë të rëndësishëm për Shqipërinë, ndërsa shtoi se bashkëpunimi do të formalizohet më tej në mekanizma që të kenë efekt tek qytetarët dhe marrëdhëniet me vendet e rajonit.