Hoxha: Mirënjohje e thellë për punën 7 vjeçare të Gjykatës Kushtetuese

Në solemnitetin e organizuar nga Gjykata Kushtetuese, për nder të 7-vjetorit të themelimit, ku morën pjesë personalitetet më të larta të shtetit, Presidenti Thaçi, Kryekuvendari Veseli dhe Kryeministri Mustafa, Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, mbajti fjalë rasti.

Lajme

26/10/2016 20:12

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, fjalimin solemn e hapi me thënien e Benjamin Franklinit, i cili ka deklaruar se “Kushtetuta u jep njerëzve të drejtën që të ndjekin mirëqenien e tyre, por individët duhet t’i kërkojnë vetë këto të drejta”.
Qytetarët duhet të kenë besim në kushtetutën e tyre, gjegjësisht në interpretuesin e vetëm të saj, Gjykatën Kushtetuese, theksoi Ministrja Hoxha dhe theksoi se gjatë punës së saj shtatëvjeçare, Kushtutuesja mori shumë vendime të rëndësishme për vendin.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës është baza e shtetit tonë, është baza e vlerave tona dhe lirive e të drejtave themelore të njeriut. Përmes Kushtetutës, zbatimit dhe mbrojtjes së saj nga Gjykata Kushtetuese, të gjithë jemi të barabartë!”, theksoi ministrja Hoxha.

Ministrja Hoxha theksoi se rëndësia e Gjykatës Kushtetuese është e jashtëzakonshme, duke qenë kështjella më e mirë mbrojtëse, gardiani më i sigurt dhe interpretuesi i Kushtetutës dhe normave të saj.
Ministrja Hoxha përgëzoi kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, duke i shprehur mirënjohje të thellë dhe suksese në mbrojtjen e aktit më të lartë juridik të vendi.