Historia tronditëse e 14 vjeçares, që e bënë nuse

Merr fund martesa-ferr e një vajze që ende nuk i ka mbushur 15 vjeç! Ajo ka guxuar ta braktisë “bashkëshortin” e saj, një të sapoliruar nga burgu dhe të dorëzohet në polici; ai ishte 40 vjeç!

Lajme

16/04/2016 08:48

Vajza, sipas të dhënave, është marrë nga shkolla dhe është martuar me 40-vjeçarin, ndërsa nuk ka qenë e mundur që martesa e tyre, për shkak të moshës, të celebrohej. Kjo histori, sa e frikshme, aq edhe kriminale, ndodh në mes të Mirditës dhe Durrësit, ndërsa vajza duket se ka kundërshtuar egërsisht zgjedhjen e të atit.

Mirëpo, në fakt, në mes të kësaj historie që s’dihet se si t’i vihet emër, kanë hyrë gjyshërit e vajzës së mitur (gjyshërit nga nëna), të cilët kanë vënë nën presion të atin dhe të ëmën e saj dhe i kanë detyruar të shkojnë e të denoncojnë rastin në polici.

Ka qenë inspektori i zonës së Kurbneshit njeriu i parë që ka mësuar të dhënat e ngjarjes së rëndë dhe brutale, ndërsa vajza e mitur, në kthim, i ka besuar gjithçka komisariatit të Rrëshenit.

Dëshmia e saj tronditëse ka bërë që policia e Rrëshenit t’i kërkojë Lezhës shpalljen në kërkim të Martin Haxhijajt nga një fshat i Burrelit, fshat që gjendet në kufi me fshatin e vajzës së mitur.

Vajza i ka thënë policisë së vendlindjes së saj se nuk e donte Martinin, por ai e kishte përdhunuar për më shumë se një javë, më pas, duke i bërë presion e ka detyruar edhe të bëjë foto me të, për të dëshmuar të qenurit e lumtur në krahët e tij. Ndonëse rasti është zbuluar vetëm ditën e djeshme, ndërsa denoncimi është bërë që në fillim të muajit, ndalimi dhe më pas shoqërimi i Martin Haxhijajt ka ndodhur vetëm paraditen e djeshme.

Ai mbahet në Policinë e Lezhës, pasi është vënë në pranga nga policia e Durrësit, ndërsa nga dëshmia paraprake që ka dhënë para oficerëve të policisë mësohet se ai ka pranuar se ishte martuar me vajzën, por që nuk kishte abuzuar kurrë me të.

Martesa e frikshme

Martin Haxhiaj mësohet se ka mbërritur në familjen e vajzës së mitur diku nga fillimi i muajit mars dhe më pas edhe ka kërkuar dorën e saj për nuse. I ati i saj, ndonëse ende nuk dihet se cila ka qenë arsyeja e një pakti të tillë me veten, ka vendosur të pranojë kërkesën e djalit që ishte në moshë të pjekur, pse jo, në dukje edhe i pasur, ndërsa në fakt vajza e tij nuk ishte te shtëpia e saj, pasi ajo e bënte shkollën në një fshat tjetër të Mirditës, ku qëndronte në familjen e tezes.

Vajza ka mësuar për kërkesën dhe pasi është njohur me kandidatin për bashkëshort, mësohet se i është thënë të ndërpriste shkollën dhe të kthehej në familjen e saj, ku edhe do të bëhej gati për martesën.

Martin Haxhija, i sapodalë nga burgu, pasi ka qenë i dënuar me 6 vite në qeli për një tentativë vrasjeje, ngjarje e ndodhur në shkurtin e vitit 2010 në Durrës, i ka kërkuar të atit të vajzës ta merrte gruan e tij pa dasmë. Shkak për këtë është bërë fakti që ajo ishte nën moshë dhe e kishin të pamundur të realizonin celebrim, po ashtu edhe fakti se familja e vajzës ishte në kushte tejet të vështira ekonomike, si thuajse pjesa më e madhe e familjeve të asaj zone. Nga të dhënat e marra në rrugë operative mësohet se vajza ka shkuar në shtëpinë e Martinit prej më shumë se një muaji. Është mbajtur në shtëpi një javë dhe më pas, siç edhe e do zakoni, është kthyer në familje, shkruan Shekulli.

Sërish, sipas të njëjtave të dhëna mësohet se me të miturën është abuzuar seksualisht përgjatë gjithë javës nga ana e 40-vjeçarit, ndërsa në momentin që vajza është sjellë në familje i ka thënë të atit që refuzonte të shkonte më në familjen e Martinit. I ati, Gj. Gj., i cili mësohet se është i moshës 56-vjeçare, i ka kërkuar vajzës të kthehej në familjen e bashkëshortit të saj dhe të mos bënte atë veprim se do të ishte turp.

Mirëpo, përgjatë asaj kohe, kur vajza ka qëndruar një javë në familjen e saj, lajmi i martesës së saj me një burrë shumë herë më të madh në moshë ka tronditur jo pak opinionin publik në Mirditë. Në fakt kanë qenë edhe njerëz të afërt të Martinit, të cilët kanë kërkuar të kontaktojnë me polici e media që rasti të bëhej publik, ndërsa ekzistonte edhe frika e ndonjë trafikimi të së miturës. Burimet thonë se vajza kishte aplikuar edhe për pasaportë.

Rrëfimi i G…. “Jam abuzuar nga burri im. Unë nuk e dua atë dhe as nuk dua të qëndroj më në familjen e tij. Nuk dua të kthehem më atje, pasi babai im më ka dhënë atje kundër dëshirës sime. Unë nuk e dua Martinin. Kam qëndruar me të se më ka bërë presion, më ka kërcënuar me jetën e tim vëllai, që e kam binjak. Nuk dua të kthehem më atje. Më mbroni ju”. Ky është rrëfimi që vajza ka lënë në komisariatin e Rrëshenit, ndërsa ajo nuk është lejuar nga ana e policisë të kthehet në familjen e saj. Sipas të dhënave bëhet me dije se ajo qëndron në banesën e një prej tezeve të saj, ndërsa është vënë në dispozicion të saj prokuroria e Lezhës për të vijuar hetimin e ngjarjes. Sipas burimeve, Martin Haxhija është ndaluar mëngjesin e djeshëm në banesën e tij në zonën e ish- Kënetës dhe më pas është transferuar në drejtim të Drejtorisë së Policisë së Lezhës.

Në Durrës, Martini iu ka bërë me dije policisë se ai nuk ka abuzuar me asnjë person, por se ai e ka dashur vajzën dhe se ajo ka bashkëjetuar me të me dëshirë. Ai nuk ka pranuar për asnjë moment të ketë ushtruar dhunë fizike apo seksuale mbi vajzën, ndërsa në momentin që i kanë thënë se ajo ka kërkuar urdhër mbrojtjeje pasi ka frikë prej tij, i prangosuri i ka bërë me dije policisë se ai nuk e kuptonte se kush e kishte sajuar atë histori, pasi G. e donte dhe kishte qëndruar me dëshirën e saj në familjen e tij, shkruan Shekulli.

Çudia

Abuzuesi i sapoliruar nga burgu, u gjet pas 10 ditësh nga policia

Martin Haxhija është arrestuar në fundin e shkurtit të 6 viteve më parë, pasi mori kallashnikovin dhe shkoi në oborrin e një familjeje dhe shtiu mbi ta. Një plumb mori kryefamiljarin, ndërsa shkak i atij sulmi me armë ishte bërë zënka që Martini kishte bërë me të birin e personit që plagosi. Për fatin e tyre, familja e GJ. N, në “Shën Vlash” shpëtuan mirë, ndërsa agresori u vu në pranga. Që prej asaj kohe e deri pak muaj më parë, Martini ka qëndruar në burg, ndërsa në momentin që ka dalë përjashta ka nisur edhe aventurën për të gjetur vajzë për martesë.

Policia e Durrësit ka pranuar ditën e djeshme se nga materialet që iu kanë referuar nga kolegët e tyre të Lezhës, denoncimi për Martin Haxhijajn është bërë që më 5 prill, pra 10 ditë më parë, ndërsa është bërë e mundur gjetja e tij vetëm ditën e djeshme. Çudia më e madhe lidhet me faktin se denoncimin për vajzën e kanë bërë familjarët e të miturës, të cilët i kanë treguar policisë me detaje të gjitha të dhënat për personin që duhet të gjenin, por policia zyrtarisht ka bërë me dije ditën e djeshme se vetëm në këtë moment u bë e mundur gjetja e tij!