Historia e Tribunalit

Themelimi i një Gjykate Speciale (Tribunali) për krimet e supozuara të luftës, si temë numër një e këtyre ditëve në Kosovë, sipas burimeve ndërkombëtare në Prishtinë, ka një histori të veçantë.

Lajme

24/03/2014 08:46

Gjykata Speciale për krimet e luftës u kushtëzua nga pamundësia e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe ndërhyrjeve politike, shkruan të hënën në numrin e saj gazeta Tribuna.

“Kur Task Forca e formuar në bazë të pretendimeve të Këshillit të Evropës mbi supozimet e zviceranit Dick Marty për trafik organesh në të ashtuquajturën ‘shtëpi e verdhë’ kishin sjellë si nevojë bisedimet me autoritetet e ndjekjes penale të EULEX-it”.

“Aty kishin dalë shumë raste që nuk lidheshin me ‘shtëpinë e verdhë’, por të cilat pretendoheshin nga UNMIK-u e më pas EULEX-i se kanë mbetur pezull”.

“Bëhej fjalë për raste të dyshuara për krime lufte”, kanë thënë këto burime, shkruan Tribuna.

EULEX-i gjatë mandatit të vet kishte zhvilluar hetime e madje edhe procese gjyqësore për raste të dyshuara si krime lufte, por ato mendohej se nuk ishin mbyllur me rezultatet e pritura.

“Në radhë të parë, prokurorët ndërkombëtarë kishin konstatuar se në Kosovë nuk ka kushte sigurie për procese gjyqësore ku si akterë kryesorë do të ishin dëshmitarët e mbrojtur”.

Akuzat e Dick Martyt për “shtëpinë e verdhë”, ku pretendohet se janë bërë transplantim organesh nga serbët e zënë rob nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës janë hedhur poshtë vazhdimisht nga Prishtina zyrtare, duke u cilësuar si fabrikime të kuzhinave të Serbisë në përpjekje të prishjes së imazhit të Kosovës.

Ndërkohë për këto akuza janë bërë hetime edhe nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë, por nuk janë gjetur prova që vërtetojnë akuzat e ish-senatorit zviceran, Dick Marty.