Hetimet për helikopterin, i mbijetuari: Nuk mbaj mend asgjë

Gerald Baramuça, ushtari profesionit që i shpëtoi aksidentit tragjik të 6 prillit në Liqenin e Shkodrës, ka dhënë deklaratën e tij. Por, ai nuk i ka dhënë asgjë të re hetimit për shkaqet e rënies së helikopterit.

Lajme

11/04/2016 18:58

Bëhet e ditur se Baramuça u ka thënë hetuesve se “nuk mbante mend asgjë nga ngjarja”. Ai është marrë në pyetje ditën e diel në Spitalin Ushtarak, pasi mjekët konfirmuan se gjendja e tij shëndetësore ishte stabilizuar.

Ndërsa sot, Prokuroria ka vendosur që kamera regjistruese e helikopterit së bashku me cipin e saj elektronik të memories, të dërgohen në Gjermani që të hapen. Kjo, në mënyrë që të shkarkohen pamjet dhe materialet zanore që ajo ka regjistruar.

Për hetimin e ngjarjes, krahas Prokurorisë së Shkodrës është angazhuar edhe Prokuroria e Tiranës.

Ndërkohë, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, Jeronim Bazo janë takuar këtë të hënë me efektivët e bazës ajrore në Farkë.

Së bashku, ato u ka bërë thirrje efektivëve të vazhdojnë punën me përkushtim, pasi misioni i tyre vazhdon.

Gjithashtu, Kodheli ka takuar edhe ambasadorin francez në Tiranë, Bernard Fitoussi, të cilit i ka kërkuar mbështetjen dhe ndihmën e Francës për zbardhjen e shkaqeve të rrëzimit të helikopterit. /ShekulliOnline