Haradinaj: Peja një prej qendrave ekonomike më të forta të Kosovës, do ta ketë përkrahjen e Qeverisë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sot ka zhvilluar një vizitë pune në Komunën e Pejës, me ç’rast ka zhvilluar takime me biznese dhe kompani të kësaj komune, ku është njoftuar nga afër me sukseset dhe sfidat me të cilat ata përballen.

Lajme
Fillimisht, kryeministri Haradinaj ka vizituar fabrikën e përpunimit dhe prodhimeve nga druri “Ukaj”, ku është pritur nga drejtori Sheqer Ukaj, i cili falënderoi kryeministrin Haradinaj për vizitën dhe për punët e mira që po i ndërmerr Qeveria në përkrahje të bizneseve prodhuese. Ai kërkoi nga kryeministri Haradinaj që të inkurajojë të rinjtë që të qëndrojnë dhe të punojnë për Kosovën.
Kryeministri Haradinaj tha se fillimi i pjesës së ekonomisë në Pejë ka shumë simbolika, pasi Peja është prej qendrave ekonomike më të forta të Kosovës dhe ka shumë brende që janë brende jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.
“Falënderoj kompaninë “Ukaj” për investimet e mëdha që i kanë bërë me teknologjinë më të re të mundshme. Ne importojmë produkte të drurit, mbi 60 milionë euro, por shpresoj që qytetari ynë të orientohet sa më shumë nga këto produkte të cilat tregjet e huaja po i kërkojnë”, tha kryeministri Haradinaj.
Më pas, kryeministri Haradinaj ka vizituar edhe birrarinë e Pejës, ku nga drejtuesit e birrarisë, Blerim dhe Shkëlqim Devolli, është njoftuar për sukseset që kanë shënuar jo vetëm në Kosovë, por edhe në tregun e jashtëm.
Kryeministri Haradinaj, duke uruar për punën e mirë që bënë birraria Peja, tha se tradita familjare po vazhdon me prodhim, fabrikë kjo e cila ka të punësuar 250 persona, 750 të tjerë në distribucion, por edhe veprimtari të tjera ekonomike që udhëhiqen nga i njëjti pronarë.
Duke qenë se kjo kompani paguan 22 milionë euro tatime në buxhetin e Kosovës, kryeministri Haradinaj i ka përgëzuar për të arriturat në punë, e po ashtu i ka inkurajuar për rritje ekonomike dhe për zhvillim.
Vizitën e radhës, kryeministri Haradinaj e ka bërë në fabrikën e përpunimit të mishit “Buquku”, duke thënë se edhe kjo familje, si shumë të tjera në Pejë, po e vazhdon traditën e të parëve të saj dhe jo vetëm Peja dhe kjo trevë, por e tërë Kosova me të drejtë u beson prodhimeve të kësaj fabrike.
Kryeministri Haradinaj tha se investimi në këtë fabrikë ngritë çdo parametër të kësaj industrie, duke shprehur gatishmërinë që t’u qëndroj afër në zgjerimin e industrisë, për të cilën tha se është serioze, e besueshme dhe me kualitet cilësor.
Në kuadër të vizitave nëpër bizneset e Komunës së Pejës, kryeministri Haradinaj, vizitoi edhe korporatën “Devolli”, në kuadër të së cilës funksionon fabrika e prodhimit të mobileve, kafes dhe produkteve tjera, ku është pritur nga pronarët, drejtori gjeneral Ismet Bojku, nga të cilët është njoftuar për vazhdimësinë e punës dhe planet zhvillimore të korporatës e cila ka të punësuar mbi 2000 persona në Kosovë.
Kryeministri Haradinaj, tha se është një projekt i madh serioz me të cilin mund të mburret Kosova, për shkak se mbi 90 për qind e veprimtarive të kësaj korporate janë prodhime të cilat kanë besimin e qytetarëve të vendit, prodhime që e kanë fituar besimin edhe të tregut të jashtëm. “Jam i bindur se ajo që kemi dëshirë ne të shohim sa më shumë “Made in Kosova” të gjendet në të gjithë tregun e botës, në Amerikë dhe më tutje”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se Qeveria do të jetë afër tyre, në rritjen e numrit të punësuarve, zhvillimit, në mënyrë që të rinjtë tanë të qëndrojnë në Kosovë dhe të kenë një vend pune të dinjitetshëm. /Lajmi.net/