Haradinaj komenton takimin Thaçi-Putin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për takimin që ka zhvilluar presidenti i vendit, Hashim Thaçi, me homologun e tij rus, Vlladimir Putin, në Francë.

Lajme

12/11/2018 21:35

Haradinaj ka thënë se Kosova i takon “sferës së interesit amerikan dhe evropian”.

“Ne jemi në konflikt me sferën e interesit rus”, është shprehur Haradinaj.

“Kjo dihet, s’ka dilemë”, ka theksuar shefi i ekzekutivit të vendit.

“Konflikti është diku në kufijtë tonë”, ka thënë Haradinaj në T7.

Megjithatë, ai ka arsyetuar takimin Thaçi-Putin në Paris, ku dy presidentët kanë shkuar për të marrë pjesë në shërbimet përkujtimore për 100-vjetorin e fundit të Luftës së Parë Botërore.

“Takime të tilla në këto ngjarje edhe mund të ndodhin”, është shprehur kryeministri kosovar.

Haradinaj ka thënë se “nuk e di qëllimin e këtij takimi”.

Shefi i ekzekutivit ka kujtuar se në të kaluarën “ka pasur sugjerim prej amerikanëve të takohemi me rusët”.

“Nëse është me sugjerim të aleatëve, ka logjikë”, ka thënë ai, duke folur për takimin Thaçi-Putin.