Haliti-Listës Serbe: Respektoni marrëveshjet

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka kritikuar sjelljet e deputetëve të Listës Serbe lidhur me bojkotimin që ata ia bënë Kuvendit në seancën e 1 shtatorit, kur pritej të bëhej ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Lajme

08/09/2016 11:54

Haliti, në një prononcim për “Indeksonline”, ka thënë se partia të cilën e udhëheq Slavko Simiq duhet t’i respektojë vendimet e koalicionit qeverisës, e jo të sillet krye në vete.

Më tej, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës ka komentuar edhe deklaratat e deputetëve të Listës Serbe, ku këta të fundit bojkotin e kanë arsyetuar me neglizhim nga partnerët e koalicionit.

“Pse po du u deshka të kemi konsultim për gjithçka, ata jetojnë në Kosovë dhe duhet të sillen si qytetarë të Kosovës dhe jo si padron. Pra, ata duhet të respektojnë dhe zbatojnë vendimet e përbashkëta të koalicionit. Është absurd ajo që e kanë bërë ata, por mendoj se kanë pas një tjetër qëllim.  Beogradit nuk i intereson marrëveshje e demarkacionit me Malin e Zi”, ka thënë ai.

Qeveria e Serbisë me ‘mision’ ndaj shqiptarëve

Nënkryetari i Kuvendit thotë se Qeveria e Serbisë është e interesuar që Kosovën ta paraqes si të paafte dhe të pamundur ta drejtoj shtetin. Sipas tij, kjo ka qenë akuza historike e armiqve të Kosovës, Shqipërisë, ku gjithmonë i kanë akuzuar shqiptarët si të paaftë për të bërë dhe mbajt shtet.

“Problemi është i shtetit të Serbisë, Qeverisë së Vuçiqit dhe interesave me të mëdha të aleatëve të Serbisë siç është Rusia. Mali i Zi është në rrugëtimin e tij për të qenë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe interesi i tyre është që Mali i Zi mos të shkëputet nga aleanca e vjetër, me Rusinë. Këtu janë problemet e mdhaja. Nuk janë problemet a dëshiron opozita në Mal të Zi apo nuk don, sepse ata e kanë shpallë pavarësinë”, është shprehur Haliti.

Qeveria t’i sigurojë votat

Megjithatë, nënkryetari i Parlamentit beson se versioni aktual i Marrëveshjes së Demarkacionit duhet të dërgohet në Kuvend sa më shpejt nga Qeveria e Republikës. Mirëpo, ai thotw se detyrën për t’i siguruar votat e kanë vet qeveritarët në konsultime  me Grupet Parlamentare.

“Ne duhet të bëjmë politik serioze shtetërore, duhet t’i shohim interesat jo vetëm tonat por të dy anës se medaljes si dhe interesat dhe qëndrimet e aleatëve strategjik tonë dhe pastaj të marrim vendime. Nuk e di kur do të kthehet, është çështje e qeverisë por besoj se qeveria do të përpiqet shpejt ta kthejë në Kuvend dhe t’i sigurojë votat për ta miratuar demarkacionin. Është obligim dhe politik e qeverisë dhe besoj se ashtu do të veprojë. Se a do të arrij t’i sigurojë votat është në duart e përgjegjësive dhe interesave që kanë grupet parlamentare, partitë politike. Por dëshirojë që ky të jetë një vendim i interesit të madh të Kosovës dhe jo i interesave të vogla, siç po paraqiten nganjëherë”, ka thënë ai. /Indeksonline/