Haliti: Ka pasur gabime, por UÇK ka bërë luftë pastër (Video)

Që nga viti i ardhshëm, Kosova do të përballet me Gjykatën Speciale për krime lufte, e cila pritet të hetojë disa nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lajme

13/12/2014 22:13

Nënkryetari i Parlamentit të Kosovës dhe një nga themeluesit e UÇK-së, Xhavit Haliti, në një intervistë në televizionin Ora Neës, ka thënë se në këtë proces, do të vërtetohet pastërtia e luftës së UÇK-së.

Haliti ka thënë se pavarësisht asaj që për popullin nuk është e lehtë që gjykohen çlirimtarët e tij, ai shpreson se vetëdija e qytetarëve të Kosovës ka ndryshuar, pasi është bërë një politikë sqaruese e bindëse, se drejtësia nuk është për të linçuar por për të treguar të vërtetën dhe drejtësia ka treguar se njerëzit që janë të pafajshëm dhe nuk ka argument nuk dënohen.

“Nuk mund të dënohen njerëz me paragjykime të mediave apo për shkak të inateve politike. Aq më pak me kërkesë të Serbisë siç pretendohet ndonjëherë. Drejtësia europiane do të jetë e pavarur në këtë aspekt. Pres të mos ketë trazira për çfarëdo niveli të jetë”. 

I pyetur se a ka kryer krime UÇK, Haliti ka thënë se, me vetëdije nuk ka kryer krime, sepse nuk e ka nisur luftën për të kryejë krime.

“Meqë jam ndër themeluesit dhe kam përcjellë personalisht rritjen e zhvillimin e saj kemi pasur një qëndrim: Raportin me civilët me gratë e fëmijët i kemi pasur të veçanta. Kemi luftuar me shtetin e Serbisë dhe lufta jonë nuk ka qenë me popullatën. Mund të jenë bërë gabime individuale, hakmarrje inviduale. Mund të ketë pasur dhe gabime nga persona të veshur me uniformë. Nuk e përjashtoj, por askush nuk mund të përgjithësojë se UÇK ka pasur orientim të bëjë krime, sepse nuk ka pasur një orientim të tillë”. 

Lufta e UÇK-së sipas Halitit ka qenë e pastër dhe çlirimtare dhe ashtu duhet të trajtohet.

“Besoj se të gjithë ata që do të thirren do ta mbrojnë UÇK-në ashtu siç ka qenë dhe nuk duhet të ligshtohen nëse duhet të përballen me ligjin”.