Hahn sqaron se përse ka ngecur Shqipëria në rrugën për BE… këshillon politikanët (VIDEO)

Të gjithë aktorët politikë në Shqipëri janë të angazhuar për perspektivën europiane, por ajo që ata duhet të bëjnë në vijim, është të gjejnë kompromise.

Lajme

28/05/2016 12:17

Këtë apel i bëri liderëve politik të vendit tonë, eurokomisioneri për Zgjerimin Johanes Hahn gjatë një takimi me disa gazetarë të përzgjedhur nga Ballkani, të akredituar në Bruksel ku Shqipëria u përfaqësua nga Arta Tozaj. Gazetarja e ka pyetur komisonerin në lidhje me procesin integrues të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe se kur mund të jetë koha për të marrë hapa konkretë në këtë drejtim, me hapjen e negociatave.  Për Johannes Hahn, miratimi i reformës në drejtësi deri në qershor është kyç për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

“Ne duam të shohim dhe masat e para të zbatimit, që kanë të bëjnë me procesin e ashtuquajtur ‘veting‘, në mënyrë të tillë, që të sigurohemi se në periudhën e raportit tonë të progresit, në tetor, apo në nëntor, megjithëse ky proces nuk do të ketë përfunduar, ne do të dëshironim të shihnim rezultatet e para me treguesit se procesi është në shinat e duhura dhe për rrjedhojë, vendimet përsa i takon bazës ligjore, duhen marrë përpara kësaj vere. Në rast të kundërt, ne nuk mund të jemi në gjendje të themi se si ky proces apo ky legjislacion, ka nisur të zbatohet”, tha Hahn.

YouTube player

Ndaj, Hahn i nxit palët politike që të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe se në momente të rëndësishme siç është reforma në drejtësi, ata duhet të gjejnë kompromise.

“Në vëzhgimin tim, kjo është një prej sfidave reale në rajon. Gjetja e kompromisit. Atje ekziston ende ky qëndrimi se kompromisi tregon dobësi. Ekziston njëfarë perceptimi se ‘unë duhet të fitoj’ e nëse nuk po fitoj, atëherë po humbas. Por, në demokraci duhen gjetur kompromise. Kompromis do të thotë se të gjitha partitë përfshihen, por një kompromis i mirë arrihet kur gjithsecili edhe fiton diçka. Prandaj, sërish, kur të gjithë aktorët e partitë kryesore politike të një vendi, si Shqipëria, janë të angazhuar për perspektivën europiane, unë pres që ata të jenë të aftë për të bërë kompromise, në mënyrë që të na lejojnë neve për të bërë hapin e radhës”, tha Hahn. /Burimi: Dritare.net