Hahn porosi për Shqipërinë: Miratoni sa më shpejt reformën në drejtësi!

Johannes Hahn, Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, me anë të një deklarate ka thënë se “miratimi i shpejtë i reformës në drejtësi dhe zbatimi i saj është kyç” në lidhje me “angazhimin e qartë ndaj standardeve evropiane dhe procesit të integrimit evropian”.

Lajme

02/06/2016 11:15

“Përshëndes punën konstruktive të bërë deri tani për reformën themelore të drejtësisë në Shqipëri që është mbështetur nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë si Euralius, OPDAT apo Komisioni i Venecias. Një miratim i shpejtë i reformës dhe zbatimi i saj pasues është tashmë kyç. Kjo jo vetëm që do t’i përgjigjej mbështetjes së madhe publike në Shqipëri për reformimin e sistemit të drejtësisë, por do të sinjalizonte gjithashtu një angazhim të qartë ndaj standardeve evropiane dhe procesit të integrimit evropian”, shprehet Hahn.

Komisioneri i BE-së shton se “tani është me rëndësi të bëhet dhe kilometri i fundit dhe të sigurohet shumica prej dy të tretash që nevojitet për ndryshimet përkatëse kushtetuese”.

“Prandaj, i nxis të gjitha palët, përfshirë opozitën, që ta vendosin interesin e vendit të tyre dhe atë të qytetarëve mbi interesat e tyre individuale dhe të gjejnë kompromise për çështjet e mbetura politike, pa kompromentuar thelbin e draft reformës të pranuar ndërkombëtarisht. Ditët e ardhshme do të vendosin nëse Shqipëria do të përparojë drejt Kampionatit Evropian apo nëse do të qëndrojë në fazën e grupeve”, thekson Hahn.