Greqia me borxhe, ka ushtri më të madhe se Gjermania (për kokë banori)

Për të shmangur falimentimin, Greqia shkurton vende pune, ul pagat e punonjësve, redukton shpenzimet për pensionet dhe ndihmën sociale dhe kërkon shtyrje të pagesës së kësteve të borxheve që i ka kredidhënësve ndërkombëtarë.

Bota

17/04/2015 19:16

Por paratë për të rinovuar dhe modernizuar Ushtrinë nuk mungojnë. Ministri grek i Financave, Panos Kamenos, tha në një intervistë për mediat në Moskë, pas takimit me homologun rus Sergei Shojgu, se Greqia do të blinte raketa të reja për sistemin e mbrojtjes raketore S-300.

Vlera një rakete është minimalisht 1 milionë dollarë. Këtë sistem, që ka nevojë për rinovim periodik, grekët e kanë blerë nga rusët në vitet ’90.

E përditshmja “Die Ëelt” shkruan se Greqia në krizë, ka Ushtrinë më të madhe në Europë, në përpjesëtim me popullsinë.

Pavarësisht masave të ashpra të kursimit, e përditshmja gjermane shkruan se Athina bleu nga uzinat gjermane të armatimit në vitin 2014, municion për tanke me vlerë 52 milionë euro.

Madje ka më shumë tanke moderne se Ushtria gjermane. Ka 353 të tillë, të modelit Leopard 2, shumica të blera në kulmin e krizës në vitin 2009, ndërsa Gjermania ka vetëm 245.

Sipas një krahasimi të thjeshtë, “Die Ëelt” shkruan se Greqia ka 130 mijë ushtarë aktivë dhe 1600 tanke për një popullsi prej 11 milionë banorësh.

Gjermania ka 180 mijë ushtarë, por si vendi me popullsi më të madhe në Europë, për të qenë në përpjesëtim të drejtë me Greqinë, duhej të kishte 1.4 milionë ushtarë dhe 10 mijë tanke.

Gjithçka për të konkurruar fqinjin turk, që pavarësisht së janë aleatë të NATO -s, mes tyre ekziston një lloj “lufte e ftohtë”.