Grabovci: Shumë shpejt Mustafa do t’i merr emrat e ministrave të rinj

Ndonëse në media u përmenden afate të shumta për riformatim të qeverisë, megjithatë deri më tani nuk asgjë konkrete.

Lajme

26/05/2016 18:58

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës tashmë ka vendosur për emrat e rinj që do t’i bashkohen kabinetit të kryeministrit Isa Mustafa.

Në media u tha se Hajredin Kuçi do të jetë zv.kryeministër, Enver Hoxhaj ministër i Punëve të Jashtme, ndërsa Gani Koci si ministër i Drejtësisë.

Pavarësisht kësaj, kryeministri Isa Mustafa ka deklaruar sot se nuk ka marrë ende asgjë zyrtare sa i përket plotësimit apo ndryshimit të kabinetit qeveritar.

Mustafa madje ka thënë se nuk do të ketë riformatizim të qeverisë, duke ngritur kështu pikëpyetje sa i përket raportit në mes partnerëve të koalicionit.

I kontaktuar nga Telegrafi, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka thënë se nuk ka asnjë mosmarrëveshje në mes PDK-së e LDK-së.

“Nuk kemi kurrfarë mosmarrëveshje. Koalicioni është duke funksionuar normal, qysh duhet. Ka ndonjë lëshim aty këtu të resorëve, por koalicioni është shumë aktiv, shumë stabil”, ka thënë Grabovci.

Ai ka shtuar se shumë shpejt kryeministri Mustafa do t’i marrë edhe zyrtarisht emrat e ministrave të rinj.

“Shumë shpejt edhe zyrtarisht kryeministri do t’i merr emrat e ministrave që do të shkojnë për vendet e zbrazëta. Ndërsa për më tutje të gjithë partnerët e koalicionit do të ulen dhe t’i bëjnë analizat e nevojshme dhe nëse e shohim të arsyeshme të ketë riformatim, atëherë do të bëhet. Por, nëse vlerësohet se nuk ka nevojë, atëherë nuk bëhet”, tha Grabovci.

Grabovci shtoi se janë të interesuar të rrisin cilësinë e punës dhe sukseset po ashtu.