Grabitja spektakolare në aeroportin e Rinasit, shikojeni skemën në 3D (VIDEO)

Një shumë e konsiderueshme parash të një banke të nivelit të dytë u grabit dje në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, teksa do të transportohej jashtë Shqipërisë me avion. “NEWS 24” ka ndërtuar skemën në 3D të grabitjes spektakolare në aeroport.

Lajme

01/07/2016 21:18

Dinamika sipas policise

“Në orës 14:23 të datës 30.06.2016, sipas orës së sistemit të kamerave të sigurisë së Aeroportit të Rinasit, një person i veshur me jelek me ngjyrë portokalli me fasha fosforeshente, kapërcen portën e ndodhur në skajin veri-perëndimor të pistës, portë e cila përdoret vetëm për hyrje-daljen e mjeteve që furnizojnë me karburant avionët. Ky person ka prerë drynin e derës dhe pasi ka hapur atë, në territorin e pistës futet një automjet tip ‘Mercedes Benz’ me ngjyre vishnje.

Autorët janë futur me makine në vendqëndrimin e automjeteve të shërbimit dhe kanë kryer vjedhjen e parave që ndodheshin në makinën e blinduar të shoqërisë “NAZERI 2000”.

Në orën 14:27 ky automjet duket që del përsëri nga territori i aeroportit nga e njëjta portë, prej nga hyri. Rezulton se pas daljes nga porta, autorët janë larguar në drejtim të aksit rrugor Rinas – Fushë Krujë – Vorë.

Në orën 14:33, 10 minuta pas thyerjes së sigurisë së rrethimit të jashtëm të aeroportit, Salla Operative e DVK&M Tiranë njoftohet nga ODM (Operatori i Drejtimit dhe Menaxhimit të Aeroportit), se persona të armatosur kanë hyrë me automjet brenda territorit të pistës së avionëve dhe kanë kryer një grabitje.

Menjëherë me marrjen e njoftimit shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje të autorëve duke konstatuar një automjet tip Mercedes Benz i cili po digjej.

Në ndjekje të autorëve janë vënë forcat RENEA, FNSH, forcat e Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Komisariatit Kruje, dhe specialistët e Drejtorisë së Përgjithshme për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit.

Gjithashtu është ngritur në fluturim me efektiva të policisë RENEA helikopteri i Policisë për krehjen e zonës nga ajri.

Nga të dhënat paraprake të hetimit, rezulton se persona të maskuar me maska dhe paruke, të armatosur me armë automatike të llojit kallashnikov, nën kërcënimin e armëve, kanë arritur të grabisin një sasi valute të kartëmonedhave të ndryshme, të deklaruar më pak se 1 milion Euro, ne automjetin tip Blind te shoqërisë SH.P.S.F. “Nazeri 2000”. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, dëshmitë e marra deri tani dhe të gjitha të dhënat paraprake hetimore, autorët nuk kanë qëlluar me armë.

YouTube player