Gjyqtari nga Berati i kërkon lidhje intime gruas së divorcuar, 300 telefona për 3 muaj

Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar një kërkese të Prokurorisë për të pezulluar nga detyra gjyqtarin e Beratit, Shyqyri Çobo. Ai i kërkonte lidhje intime një gruaje, e cila i ishte drejtuar Gjykatës për tu ndare nga burri. Ne njoftimin e Prokurorisë thuhet se Çobo fillimisht i gjeti një avokat gruas dhe më pas e ka marrë shumë here në telefon për te pasur një lidhje intime se bashku. Sipas Prokurorisë ne 3 muaj ai ka kryer 300 thirrje telefonike me gruan.

Lajme

29/06/2016 12:26

NJOFTIMI I PROKURORISE Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur hetimin në bazë të kallëzimit të dorëzuar nga shtetasja I.T. pranë Policisë Vendore, Berat. Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton se kallëzuesja ka qenë palë në një proces civil divorci, ku gjyqtar i çështjes ishte Shyqyri Çobo. Në seancën e parë të atij procesi, gjyqtari i është ofruar kallëzueses që t’i siguronte një avokat, meqë kjo e fundit nuk kishte mundësi financiare. Për këtë arsye, ata shkëmbejnë numrat e telefonit. Pasditen e së njëjtës ditë, gjyqtari i dërgon mesazh në telefon kallëzueses, ku, pasi e njofton për gjetjen e një avokati, i kërkon në mënyrë indirekte që “ta konsiderojë mik”.

Në vijim, nga kqyrja e aparatave dhe tabulateve telefonikë, rezulton se gjyqtari Çobo i ka dërguar shpesh mesazhe dhe e ka telefonuar kallëzuesen. Kjo e fundit, megjithëse e ka kuptuar qëllimin e gjyqtarit për krijimin e një lidhjeje intime, është ndjerë e friksuar për faktin se refuzimi i prerë nga ana e saj do të sillte si pasojë humbjen në procesin gjyqësor ku ishte palë. Për këtë arsye, shtetasja I.T. i është shmangur në çdo kohë gjyqtarit dhe e ka kallëzuar atë pranë Policisë Vendore, e cila e referoi rastin pranë Prokurorisë për Krime të Rënda. Në vijim të hetimeve, Prokuroria ka realizuar kqyrjen e telefonave, nga të cilët ka rezultuar se për një periudhë gati 3¬mujore para kallëzimit, gjyqtari Çobo kishte kryer mbi 300 telefonata në drejtim të kallëzueses, si edhe një numër të lartë mesazhesh me tekst. Në mesazhet e dërguara nga gjyqtari konstatohet qartë tendenca e tij për të bindur kallëzueses që të krijonin një lidhje intime. I pyetur si person nën hetim nga Prokuroria për Krime të Rënda, i dyshuari e ka mohuar faktin se mesazhet e tij kanë pasur si qëllim kërkimin e favoreve seksuale dhe se nuk ka pasur raporte jashtëgjyqësore me të pandehurën. Por, nga provat e administruara gjatë procesit hetimor, rezulton e provuar se shtetasi Shyqyri Çobo ka tentuar për një kohë të gjatë të krijojë lidhje intime me kallëzuesen, e cila ishte palë në një proces gjyqësor të drejtuar prej tij në Gjykatën e Beratit. Në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar dyshime të arsyeshme se gjyqtari Shyqyri Çobo ka konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarit….”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal. Për këtë arsye, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi caktimin e masës së sigurimit “pezullim nga detyra”. Gjykata për Krime të Rënda pranoi këtë kërkesë ditën e Mërkurë, në dt. 29.06.2016