Gjykata sot vendos për Noizyn dhe Albert Krasniqin

Gjykata sot pritet të vendos për përleshjen e armatosur në mes dy ‘label’-ëve muzikorë “OTR” e “BabaStars” e cila kishe ndodhur dy vjet më parë në qendër të Prishtinës.

ShowBiz

19/09/2018 08:51

Kujtojmë se gjatë shqyrtimit fillestar të akuzuarit, Rigels Rajku-Noizy dhe Albert Krasniqi e kanë pranuar fajësinë dhe njëherësh të dy kanë shprehur keqardhje për atë që kishe ndodhur në mes tyre.

Të dy kanë deklaruar se të kaluarën e kanë hedhur prapa krahëve dhe se tanimë ja kanë falur njëri tjetrit e janë bërë miq.

“Akuzën e pranoj. E kuptoj shumë mirë. Unë ndihem me të vërtetë fajtor. Nuk e di a do të më pranohet kjo por kërkoj falje, kjo ka ndodhë, ne jemi të rinj dhe ne e kemi falë njëri- tjetrin. Kemi vendosë që të kaluarën ta lëmë prapa. Jemi takuar edhe me familjen e Albertit dhe me familjen time, kemi vendosur që këto t’i lëmë prapa”, ka deklaruar Rigels Rajku-Noizy para gjykatës.

Pas tij, fajësinë e ka pranuar edhe pjesëtari tjetër i grupit rival ‘BabaStars’, Albert Krasniqi.

“Po e pranoj fajësinë dhe ndjehem shumë keq për rastin që ka ndodhë. Ne jemi pajtu dhe tash jemi miq”, Albert Krasniqi.

Ndërsa ndaj të akuzuarit tjetër Elvis Hyseni është veçuar procedura penale pasi që ai nuk është paraqitur pranë gjykatës dhe për të njëjtin u tha se jeton jashtë Kosovës, prandaj me qëllim të ekonomizimit të procedurës gjyqtari i çështjes Beqir Kalludra ka vendosur ta veçoj lëndën ndaj këtij të akuzuari.

Beteja në mes dy ‘label’-ëve muzikorë OTR e BabaStars e cila nisi më 13 shtator të vitit 2016 para hotelit “Swiss Diamond”, është zhvendosur në Gjykatë.

OTR është ‘label’ në të cilin bën pjesë ‘Noizy’, ndërsa ‘BabaStars’ label-i tjetër ku bën pjesë ‘Cozman’.

Më 13 shtator të vitit 2016, rreth orës 17:15 në parkingun para hotelit “Swiss Diamond”, në Prishtinë kishte ndodhur një përleshje mes dy prej grupeve më të mëdha të reperëve, ata të OTR-së nga Shqipëria dhe BabaStars nga Kosova.

KALLXO.com ka arritur të sigurojë aktakuzën në të cilën prokuroria ka shpjeguar veprimet e të gjithë pjesëmarrësve në këtë përleshje.

Në këtë proces gjyqësor ishte akuzuar Rigels Rajku (Noizy), derisa reperi tjetër, Ylber Abdullahu (Cozman), është palë e dëmtuar.

Si pasojë e kësaj përleshje mbetën të lënduar disa persona, përfshirë edhe Rigels Rajku, i njohur për publikun si “Noizy”, atij i është hequr një plumb gjatë një ndërhyrjeje kirurgjike.

Sipas aktakuzës, ‘Noizy’, në ditën kritike i ishte vërsulur fizikisht Albert Krasniqit dhe Ylber Abdullahut, pasi që i akuzuari Krasniqi dhe tani i dëmtuari Abdullahu me automjet të të dëmtuarit kanë ardhur në parking.

Aktakuza thotë se ‘Noizy’ fillimisht i është vërsulur ‘Cozman’-it të cilit i është afruar derisa ishte duke ndenjur në automjetin e markës “Range Rover” dhe me grusht e ka goditur në pjesën e tëmthit dhe e ka shtyrë në automjet, me ç‘rast është shkaktuar rrahja e përgjithshme dhe i dëmtuari kishte pësuar edhe ca goditje.