Gjuriq takohet me ambasadorin korean, i ankohet për taksën dhe mosthemelimin e Asociacionit

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, sot është takuar me ambasadorin e Koresë, Choe Hyong-Chan.

Lajme

13/02/2019 15:44

Marko Gjuriq, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë gjatë ditës së sotme është takuar me ambasadorin e Koresë, Choe Hyong-Chan.

Siç shkruan “Blic.rs”, transmeton lajmi.net, në këtë takim Gjuriq ka folur për taksën, dialogun me Kosovën si dhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Po ashtu siç bëhet e ditur Gjuriq dhe ambasadori Choe Hyong-Chan kanë biseduar edhe për situatën politike në Kosovë dhe për sigurinë e serbëve që jetojnë në Kosovë.

Siç shkruan ky medium, Gjuriq i ka thënë ambasadorit korean Choe Hyong-Chan, se Serbia është e përkushtuar që të vazhdojë dialogun  me Kosovën, por që sipas tij, ky dialog nuk mund të vazhdojë përderisa Kosova nuk e heq taksën për mallrat serbe, transmeton më tutje lajmi.net.

Po ashtu, Gjuriq citohet ti ketë thënë ambasadorit Choe Hyong-Chan se pavarësisht arritjes së marrëveshjes në Bruksel për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kosova nuk po e zbaton këtë marrëveshje, kështu sipas tij, Kosova ka krijuar kushte të reja për themelimin e Asociacionit. /Lajmi.net/