Gjendet i vdekur në burgun britanik ish-anëtari i bandës shqiptare

Ndriçim Sadushi, 43 vjeç, i cili vuante një dënim në burgun Belmarsh në Londër u gjet i vdekur në qelinë e tij.

Lajme

28/05/2016 20:19

Sipas autoriteteve britanike, Ndriçim Sadushi nga Elbasani u gjet në gjendje shumë të rëndë në qelinë e burgut të sigurisë së lartë i goditur nga një atak kardiak. Ai vuante nga depresioni dhe shpesh herë kishte tentuar të vriste edhe veten.

Ndriçim Sadushi u arrestua në vitin 2012 në Britaninë e Madhe pas 15 vitesh arratie. Në Shqipëri, ai është dënuar për tre vrasje dhe një tentative vrasje të ndodhura në vitin 1997, ndërsa bënte pjesë në të ashtuquajturën banda e “Tan Kateshit” në Elbasan.

YouTube player

Pas ikjes nga Shqipëria ku mori dënim, Sadushi kishte patur një histori të gjatë kriminale. Në Itali, ai është akuzuar për pastrim parash e trafik droge, ndërsa kishte mundur të hynte ilegalisht në Britani në vitin 2000.

Për vite të tëra i ishte fshehur policisë edhe pse ishte një nga personat më të kërkuar dhe sipas mediave britanike u arrestua sepse ushtronte dhunë ndaj gruas, dhe pas marrjes së shenjave të gishtërinjve u vërtetua se ai ishte Ndriçim Sadushi, njeriu i kërkuar për tre vrasje, drogë e pastrim parash.