Gjendet e mbytur një grua në plazhin e Durrësit

Dyshohet se ajo është rreth 40 vjeçe. Nga këqyrja e kufomës, policia thotë se nuk janë gjetur shenja dhune.

Lajme

21/06/2016 20:09

Një grua është gjetur e mbytur në plazhin e Durrësit, sot rreth orës 17:15, në drejtim me Pistën e Vogël. Kanë qenë kalimtarët ata që kanë gjetur trupin e gruas, e cila nuk është identifikuar ende.

Dyshohet se ajo është rreth 40 vjeçe. Nga këqyrja e kufomës, policia thotë se nuk janë gjetur shenja dhune.

“Është rreth 1.60 cm e gjatë, me flokë ngjyrë të zeza të gjata rreth 20 cm dhe ezmere në fytyrë. Ka të veshur një palë pantallona xhins, ngjyrë blu të errët; bluzë me mëngë të shkurtra, ngjyrë të kuqe; në dorën e majtë ka një orë dore me zinxhir metalik dhe në gishtin e parafundit ka një unazë me një gurë rozë”, është ky përshkrimi që i bën policia, ndërsa kërkon ndihmë për identifikimin e saj. Ndërkohë kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.