Gazetarja u ndëshkua se i bëri pyetje Vuçiqit, reagon kryeministri serb

Svetlana Božić Krainčanić është redaktore në zyrën e Beogradit të Televizionit të Vojvodinës. Si e tillë ajo më 1 prill ka marrë pjesë në një konferencë për shtyp të kryeministrit Aleksandar Vuçiq. Në hyrje të ndërtesës aktivistë të Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut shpërndanë një listë me pyetje për Vuçiqin.

Lajme

13/04/2016 16:15

Njërën prej këtyre pyetjeve Svetlana Božić Krainčanić ia bëri Vuçiqit. “Pasi që keni thënë se për juve e vetmja gjë e diskutueshme kur bëhet fjalë për (liderin e radikalëve Vojislav) Sheshel është politika e tij, e cila është regresive, a domethënë kjo se ju, në një mënyrë, nuk hiqni dorë nga politika e viteve 90-të, kur edhe vetë keni qenë përkrah Sheshelit?” Kjo pyetje ka mjaftuar që gazetares t’i ulet rroga si masë ndëshkuese, transmeton dialogplus.

Por për këtë ndëshkim ka reaguar Vuçiq, i cili ka kërkuar që të mos ndëshkohet askush në emër të tij.

“Mos i ndëshkoni dikë në emrin tim, dhe aq më shumë kur kemi vetëm 10 ditë para zgjedhjeve, në mënyrë që të tingëllojë që unë e kam urdhëruar një vendim të tillë. Mos e ndëshkoni Svetlana Božić Krainčanić për mua, e dua pyetjen e saj dhe kam dëshirë që t’u përgjigjem pyetjeve të saj njëjtë sikurse mund ta bëjnë edhe gazetarët e tjerë”, ka deklaruar kryeministri serb për mediat serbe, transmeton lajmi.net

Për këtë vendim të televizionit, ka reaguar edhe Shoqata e gazetarëve të Serbisë dhe Vojvodinës.