Fton për terrorizëm dhe vrasje në FB, mbrohet me “lirinë e shprehjes”

Një maroken, i lindur në Danimarkë, është gjetur sërish fajtor për nxitje dhe promovim të terrorizmit, kësaj radhe, përmes rrjeteve sociale.

Bota

04/12/2014 20:24

Gjykata e qytetit Frederiksberg, e ka dënuar sot 54 vjeçarin Sam Mansour me katër vjet burgim, me akuzën se ka shkelur ligjet daneze që janë kundër terrorizmit, transmeton REL.

Mansour i ka mohuar akuzat duke thënë se vetëm e ka shfrytëzuar lirinë e tij të shprehjes.

Përmes rrjetit Facebook ai kishte shkruar se “terrorizmi është detyrë”.

Ai po ashtu, përmes këtij rrjeti social kishte kërkuar nga terroristët që t’i vrasin disa danezë, emrat e të cilëve Mansour kishte thënë se i ka.

Ende nuk dihet nëse Mansour do të apelojë ndaj vendimit të cilin e kanë shpallur tre gjyqtarë.

Në vitin 2007, Mansour, i njohur në atë kohë si Said Mansour, ishte bërë personi i parë në Danimarkë i cili ishte dënuar sipas një ligji të vitit 2002, ligj që e ndalonte nxitjen e terrorizmit.

Ai atëbotë ishte dënuar me tre vjet e  gjysmë burgim.