Ftesë nga LDK, jo nga Jakup Krasniqi

Deputeti Muhamet Mustafa nga \"Grupi E15\" thotë se nuk ka marrë ftesë nga Jakup Krasniqi për të qenë pjesë e një grupi të ri parlamentar. Ai konfirmon se ka ftesë nga LDK, për të cilën pohon se do ta konsiderojë para zgjedhjeve nacionale.

Lajme

24/09/2013 10:13

Deputeti Muhamet Mustafa nuk ka marrë asnjë ftesë nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, për të formuar një Grup të ri Parlametnar, siç është përfolur në opinion ditëve të fundit.

Mustafa, i cili drejton Grupin e Ekspertëve të njohur si ‘Grupi E 15’, thotë për lajmi.net se deri tash ka pasur ftesë për koalicion vetëm nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por të cilin pohon se do ta shqyrtojë seriozisht para zgjedhjeve nacionale.

“Jo, sa më përket mua. S’kam pasur një ftesë të tillë“.

“Ne kemi pasur një ftesë nga LDK, në kohën kur kemi dalë nga Koalicioni Qeverisës dhe këtë ftesë kur të vije koha e zgjedhjeve nacionale do ta konsiderojmë seriozisht”, thotë Mustafa, për lajmi.net

“Përndryshe, ne mbetemi të angzhuar që t’i kontribuojmë përmirësimit të politikave ekonomike dhe zhvillimore, përmirësimit të qeverisjes dhe ngritjes së gatshmërisë politike për zbatim të Ligjit dhe luftim të korrupsionit”.

“Në Kuvend, tash dhe në të ardhmen, ne do të bashkëpunojmë që të krijohet një masë kritike e anagazhimit politik dhe institucional që siguron kthesë të rëndësishme dhe pozitive në këtë drejtim”.