FMN e shqetësuar nga vendimet e Thaçit

Shefi i misionit të FMN-së, Jacques Miniane thotë se FMN-ja është e shqetësuar nga masat e fundit të marra nga Qeveria e Kosovës, për rritjen e pagave dhe pensioneve.

Lajme

22/04/2014 09:30

Në një intervistë për “Zëri”, Miniane thotë se rritja e pagave në sektorin publik do të rris çmimet dhe do të dëmtojnë konkurrencën në sektorin privat.

“Kjo është pak a shumë një përsëritje e vitit 2011 dhe ne jemi të zhgënjyer nga ky relaksim parazgjedhor. Tani konteksti është i ndryshëm, në atë kohë kemi pasur një program me Qeverinë dhe ai vendim për rritje të pagave kishte vënë programin jashtë binarëve. Tani për tani ne nuk kemi program me Kosovën, kështu që diskutimet tona me autoritetet janë çështje e bashkëpunimit në aspektin e këshillimit dhe të ideve, por nuk ka program”.

“Ashtu siç kemi përmendur, ne kemi shprehur shqetësimet tona rreth masave të fundit. Ne jemi të shqetësuar se masat e fundit do të bëjnë presion kundër rregullës fiskale, do të rrisin shpenzimet në mënyrë të konsiderueshme dhe ne jemi të shqetësuar, se kjo do të dëmtojë konkurrencën në sektorin privat”.

Miniane thotë se rritja e pagave kërkon që të bëhen shkurtime buxhetore. Ai ka thënë se përveç shkurtimeve të bëra nga Qeveria në mallra dhe shërbime, FMN-ja beson se edhe në vitet e ardhshme do të duhet që Kosova të bëjë shkurtime të tjera buxhetore, për të përballuar këtë rritje të pagave.

“Ne besojmë se rritja e pagave dhe pensioneve do të kushtojë rreth 130 milionë euro shtesë për vit. Tani, kjo nuk do të thotë se për shkak të masave të fundit, rregulla fiskale nuk mund të përmbushet”.

“Më lejoni të them se ka vend për të vazhduar përmbushjen e rregullës fiskale, por sipas pikëpamjeve tona, përmbushja e rregullës fiskale do të kërkojë alternativa dhe shkrutime shtesë në vijim”.

Shefi i misionit të FMN-së, Jacques Miniane thotë se nuk është detyrë e FMN-së, që t’i tergojë Kosovës se si duhen shpenzuar paratë, por ai thotë se FMN-ja do të sigurohet që vendimet e Qeverisë të jenë të qëndrueshme nga ana fiskale.

“Ne besojmë se nuk është roli yni si FMN, për t’i treguar Qeverisë, Parlamentit dhe popullit të Kosovës, se si ata duhet të shpenzojnë çdo euro të vetme që është në thesar. Ne respektojmë vendimet e popullit të Kosovës përmes përfaqësuesve të saj të zgjedhur dhe ne duhet të sigurohemi që disa nga këto vendime të Qeverisë, të jenë të qëndrueshme nga ana fiskale”, tha për “Zëri”, Jacques Miniane.