Flasin për FAK-un në NATO

Ministrat Enver Hoxhaj dhe Agim Çeku, biseduan sot me përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare të NATO-s rreth zhvillimeve politike në Kosovë. Dy ministrat gjithashtu folën edhe për vendimit të Qeverisë për formimin e FAK-ut dhe Ministrisë së Mbrojtjes.

Lajme

10/04/2014 16:48

Në kuadër të konsultimeve rreth procesit të Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë, Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, dhe ai i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, zhvilluan të enjten një vizitë të përbashkët në selinë politike të NATO-s, shkruan në një komunikatë të MPJ-së.

Vizita e ministrave Hoxhaj dhe Çeku shërbeu për të informuar përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare të NATO-s rreth zhvillimeve politike në Kosovë, me theks të veçantë rreth vendimit të Qeverisë për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes.

Në vazhdën e diskutimeve, dy ministrat prezantuan të arriturat në procesin e Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë, si dhe aspiratat e Kosovës në avancimin e integrimeve euroatlantike.

Ministri Hoxhaj dhe ministri Çeku theksuan se Kosova është e përkushtuar të shërbejë si faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon, dhe kontribuues i sigurisë rajonale.

Ata po ashtu theksuan se gjashtë vjet pas pavarësisë, aspirata e Kosovës është e projektuar të jetë eksportues i sigurisë, dhe jo konsumues i saj.