Fitore e thellë e Vuçiqit, shok për liberalët

Kryeministri Aleksandër Vuçiq ka fituar zgjedhjet parlamentare në Serbi me një rezultat tejet të thellë. Partia e tij e vetme ka fituar më shumë se gjysmën e votave të elektoratit serb. Ndërsa liberalët e tubuar në një koalicion të përbashkët, si ish-presidenti Boris Tadiq, Çedomir Jovanoviq e Nenad Çanak, rrezikojnë të mos e kalojnë as pragun zgjedhor.

Lajme

25/04/2016 07:56

Vuçiq ka mbajtur një konferencë për media, ku ka prezantuar prezantuar rezultatet zgjedhore.

Sipas tij, “Serbia Fiton”, të cilën e udhëheq partia e tij, ka marrë 50.9% të votave dhe pret dekretimin e presidentit për formimin e qeverisë së re të Serbisë.

“Jam pak i lodhur, por shumë i lumtur dhe mirënjohës. Njerëzit e dinë që ne udhëheqim mirë qeverinë dhe mendojmë për të ardhmen e tyre”, ka thënë Vuçiq.

Ai më pas ka thënë se Serbia ka dëshmuar para vetes dhe botës së është e interesuar për demokraci.

“Faleminderit të gjithëve që kemi votuar sot dhe njerëzve që kanë punuar që këto zgjedhje të jenë transparente, gjithashtu edhe njerëzve të mi që zhvilluan një fushatë të mirë”, ka thënë Vuçiç.

Rezultatet e partive tjera, sipas Vuçiçit:

Partia Socialiste e Serbisë – 11.23%

Partia Radikale e Serbisë – 7.39%

Partia Demokratike – 5.44%

Ndërsa për partitë e tjera ai tha se nuk kalojnë pragun, duke përfshirë edhe koalicionin Boris Tadiç, Çedomir Jovanoviç dhe Nenad Çanak, që njihen si më liberalë në Serbi. /lajmi.net