Fëmijë me motoçikleta të lënduar në aksidente trafiku në Gostivar

Dy fëmijë të moshës 14-vjeçare nga fshati Çajle janë lënduar sot në një aksident trafiku në rrugën “Pitarnica” në Gostivar, ndërsa më pak se dy ditë më parë ka pësuar edhe një moshatare e tyre po në këtë qytet, njoftoi policia rajonale e Tetovës.

Lajme

15/05/2016 15:13

Dy fëmijët kanë qenë mbi motoçikletë të cilën pa leje e ka drejtuar njëri prej tyre, ndërsa në aksident janë përfshirë edhe dy makina – një “golf” i drejtuar nga M.M. (55) nga fshati Balindoll dhe “shkoda” e drejtuar nga D.S. (41) nga Gostivari.

Pas aksidentit dy fëmijët kanë marrë lëndime trupore dhe pas ndihmës së dhënë në spitalin e Gostivarit janë lëshuar për mjekim në shtëpi.

Ky, sipas policisë, është aksidenti i dytë në të cilin gjatë kësaj fundjave është lënduar një i mitur me motoçikletë në Gostivar. Natën mes së premtes dhe të shtunës një vajzë, gjithashtu 14-vjeçare, e cila ka qenë bashkudhëtare në motoçikletë, ka thyer këmbën dhe ka marrë lëndime të tjera pasi mjeti që ka drejtuar një 16-vjeçar nga Gostivari është ndeshur me një makinë “ford eskort”.