Familja e “Shtëpisë së Verdhë” kërkon drejtësi

Votimi për themelimin e Gjykatës Speciale në Kosovë, për hetimin krimeve të luftës, ka nxitur reagimin e familjes Katuçi. Familjarët e së ashtuquajturës “Shtëpia e verdhë”, në Gurrë të Vogël të Matit, është akuzuar nga Dick Marty për trafik organesh gjatë kohës së luftës.

Lajme

24/04/2014 00:25

\”Për akuzat që na është bërë në 2004, që ne akuzohemi si familje, dhe na u bë një kontroll i befasishëm paralajmëruar nga shteti shqiptar. Ne u kërkuam për 8 vite rresht shtetit shqiptar drejtësi, por s’kemi marrë përgjigje me ndërrimin e qeverive”, u shprehën anëtarë të familjes Katuçi për News24.

Në reagimin e familjes thuhet se i është bërë kërkesë Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme për të marrë një përgjigje në lidhje me akuzat dhe në të njëjtën kohë edhe dëmshpërblimin moral.

“Ne do ta çojmë moralin tonë si familje deri në vend. Ne tani na akuzojë të gjithë, edhe fshatarët e dhe në ambiente publike, pasi thonë ju keni prerë. Ne nuk jemi të tillë, i shikoni kushtet tona, as një infermier s’ka dalë me shkollë nga familja jonë”, vijoi  rrëfimin kryefamiljari Katuçi.

Kryefamiljari Katuçi shprehet se shteti duhet të çojë në vend moralin e përndjekur përgjatë gjithë këtyre viteve padrejtësisht në lidhje me akuzat, pasi familja mund të veprojë dhe në mënyrë ekstreme. “Populli shqiptar habitet dhe thotë se kush jemi ne. Duam drejtësi, përndryshe nuk do lejojmë asnjë lloj kontrolli në banesën tonë, pasi mund të bëjmë dhe akte ekstreme”, ka thënë familja Katuçi.

Familja ka bërë me dije se për zbardhjen e çështjes i është drejtuar dhe Ambasadës së Kosovës në Tiranë. “Kërkojmë dëmshpërblim moral për akuzat që na janë bërë, ndaj shteti të zbardhë të drejtën tonë dhe ndërkombëtarë të mos të luajnë me fatin e familjes sonë. Kemi kërkuar takim edhe me ambasadorin kosovar në Tiranë, dhe një takim me kryeministrin Thaçi dhe udhëheqjen kosovare, që të zbardhet e vërteta e familjes sime dhe ushtrisë kosovare, por më është thënë kur shteti shqiptar s’të përkrah ne s’dimë ç’të bëjmë.

Ndërkohë, më 30 të vitit 2011 raportuesi i Këshillit të Europës, Dik Marty është paditur në Gjykatën e Tiranës për dëm moral nga të zotët e asaj që tashmë cilësohet si “Shtëpia e verdhë”.

Familjarët kërkojnë nga raportuesi i Këshillit të Evropës të paguajë një shumë prej 10 milionë lekësh, si dhe të përgënjeshtrojë raportin, i cili e bën objekt hetimi shtëpinë e tyre për transplantim organesh të serbëve nga ana e ish-ushtarëve të UÇK-së.