Familja e luftëtarit të kthyer nga Siria: I kanë bërë injeksion për të na harruar!

Pas shkrimit në AFP për luftëtarin Ervis Alinj i cili është kthyer nga Siria, kanë reaguar familjarët e tij. Në një intervistë për News 24, babai i Ervisit, Hamdi Alinji thotë se djali nuk e ka parë që kur ai iku në Siri me Almir Dacin në 2012.

Lajme

06/05/2016 12:43

‘E besojmë që djali ndodhet në Tiranë dhe ai nuk do rrinte kaq shumë kohë pa na takuar, por i kanë bërë injeksion për të na harruar. Ervisi u mashtrua që në fillim nga Almir Daci, vdekjen e të cilit nuk e besojmë, pasi është një sajesë nga familjarët e tij. Të kthyerit nga Siria thonë se Ervisi është gjallë, kërkojmë nga shteti që të na e sjellë djalin në shtëpi kudo që të ndodhet’, shprehet babai i Ervis Alinj.

Ndërkohë vëllai i Ervis Alinj i bën apel që ai të kthehet. ‘Ta shoh Ervisin të gjallë, pastaj le të vdes’, shprehet Taulant Alinj nga fshati Leshnicë i Pogradecit. Në shkrimin e vet, AFP përmend Ervis Alinjin me emrin Yassin, ndërsa thotë se ai punon si kasap në Tiranë, pas kthimit nga Siria.