“Euro Food” zgjeron prodhimin me grant të MBPZHR-së

Hapësirat e kompanive për prodhim të ushqimeve vendore dita ditës po zgjerohen më shumë. Sot në kompaninë “Euro Food” në Prizren u bë përurimi i përfundimit të investimeve të zgjerimit të linjës së prodhimit, me ç’rast kjo kompani do të ketë hapësirë më të madhe të prodhimit të marmelatës.

Lajme

27/04/2015 19:56

Ky investim u bë nga vetë kompania, me mbështetje nga Ministria e Bujqësisë.

Ministri Memli Krasniqi tha se, si në këtë rast, që u kontribuua për të ruajtur traditën e kësaj kompanie, e cila ka sjellë në treg shumë produkte cilësore, për të ecur përpara sektori privat është e nevojshme mbështetja nga shteti. Ai premtoi se mbështetja nga ana e MBPZHR-së do të vazhdojë edhe më tutje.

“Bujqësia është sektori kryesor për zhvillimin ekonomik të vendit dhe pa investim në të nuk mund të ketë as zhvillim ekonomik, e as punësim. Pikërisht për këtë, në vitin e fundit veçanërisht, Qeveria e Kosovës ka dyfishuar mbështetjen për prodhimet, përpunimin e diversifikimet e bizneseve në bujqësi. Siç e dini, sivjet ne kemi ndarë 20 milionë euro për grande dhe 23 milionë euro për subvencione në bujqësi. Kjo do të thotë që mbështetja do të zgjerohet dhe do të rritet dhe numri i përfituesve, siç është rasti i “Euro Food-it” do të jetë më i madh nga viti në vit. Pra, do të kemi më shumë mundësi, më shumë produkte, e ajo çka është shumë e rëndësishme edhe më shumë cilësi në këto produkte”, tha Krasniqi.

Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, tha se një investim i tillë është shumë i nevojshëm në qytetin e tij, pasi që gjeneron vende të reja të punës.

Kryetari i OEK, Safet Gërxhaliu tha se së bashku me Ministrinë e Bujqësisë kanë gatishmëri që edhe më tutje ta përkrahin zhvillimin e sektorit privat.

Për zgjerim të linjës së prodhimit të kësaj kompanie dhe të makinerive të reja është investuar shuma prej 166 mijë euro, të cilat janë dhënë nga granti i Ministrisë së Bujqësisë./KosovaPress/