EULEX-i mund ta marrë përsipër rastin e Gavriqit

EULEX-i nuk ka mohuar mundësinë që të marrë përsipër rastin e Sllobodan Gavriqit, kur ai të paraqitet para Gjykatës.

Lajme

29/12/2014 19:33

Me rishikimin e mandatit të misionit evropian, prokurorët e gjyqtarët ndërkombëtarë nuk mund t’i marrin më automatikisht rastet vendësve, por një gjë e tillë prapë iu lejohet, raporton KTV.

Në bazë të ligjit për mandatin e EULEX-it, misioni duhet t’i drejtojë një kërkesë Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe pastaj anëtarët e tij të vendosin për t’ia transferuar rastin EULEX-it. Aty specifikohen disa vepra penale që mund t’iu kalojnë në kompetencë EULEX-it, e që është pikërisht edhe vepra për çka Gavriq po hetohet.

Enver Peci, i cili kryeson KGJK-në, ka thënë për KTV-në se deri tani nuk kanë marrë kërkesë nga EULEX-i dhe se ligji nuk e përcakton kohën kështu që kërkesa mund të bëhet në çfarëdo faze të procedurës.

Prokurorja Drita Hajdari është duke e hetuar shtetasin serb për veprën penale, përgatitje e veprës terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, transmeton koha.net.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, ndërkaq, nuk ka sqaruar se çfarë bashkëpunimi është duke e bërë me EULEX-in dhe nëse bashkë me Ministrinë e Drejtësisë planifikojnë të kërkojnë që Gavriq të ekstradohet në Serbi, anipse parimisht një marrëveshje e tillë nuk ekziston mes shteteve.