Erdogan: Nuk ka kthim prapa, do të shtypim forcën kurde të mbështetur nga SHBA-të

Fushata tre-ditore e forcave Turke mbi enklavën kurde në Afrin të Sirisë, ka hapur një front të ri në luftën civile shumëvjeçare të Sirisë, duke riorganizuar një fushë-betejë ku fuqitë e jashtme po mbështesin luftëtarët lokalë.

Bota

22/01/2018 23:06

Ndërsa Uashingtoni dhe kryeqytetet e tjera perëndimore shprehën shqetësim, presidenti turk, Tayyip Erdogan tha se kishte siguruar një hap përpara për fushatën nga Rusia, mbështetës kryesor i presidentit sirian Al-Assad, armik i gjatë i Turqisë.

Forcat turke dhe aleatët e tyre sirianë anti-Assad filluan të shtunën “pastrimin” e zonës veriperëndimore të kufijve kundër luftëtarëve kurdë YPG. Ankaraja konsideron se YPG janë aleatë të kryengritësve që kanë luftuar kundër shtetit turk për dekada të tëra. Shtetet e Bashkuara, ndërkohë, kanë armatosur dhe ndihmuar YPG si aleatë kryesorë të saj kundër Shtetit Islamik, transmeton lajmi.net

Franca bëri thirrje për një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të hënën për të diskutuar luftimet në Afrin dhe në pjesë të tjera të Sirisë dhe Britania tha se do të kërkonte mënyra për të parandaluar çdo përshkallëzim të mëtejshëm.

Por, Erdogan është shprehur i vendosur se Turqia duhet të bëjë përparime të mëtutjeshme. “Nuk ka kthim prapa nga Afrin,” tha ai në një fjalim në Ankara. “Ne kemi diskutuar këtë me miqtë tanë rusë, kemi një marrëveshje me ta, dhe ne gjithashtu kemi diskutuar me forcat e tjera të koalicionit dhe Shtetet e Bashkuara”.

Siria ka kundërshtuar fuqimisht inkursionin turk dhe Moska e cila kontrollon pjesët e hapësirës ajrore siriane në emër të aleatëve të saj në Damask nuk e kanë konfirmuar dhënien e dritës së gjelbër për këtë gjë.

Irani, mbështetësi tjetër ushtarak i Asadit, bëri thirrje për ndalimin e operacionit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Bahram Qassemi tha se fushata e Afrin mund të çojë në “kthimin e terrorizmit dhe ekstremizmit rajonal”, sipas televizionit shtetëror.

Zëdhënësi i YPG tha se ka pasur përleshje midis forcave kurde dhe atyre të mbështetura nga Turqia në ditën e tretë të operacionit dhe se granatat turke kishin goditur zonat civile në verilindje të Afrinit.

YPG tha se Afrin tashmë ishte përforcuar në pritje të ofensivës turke, por kishte diskutime mbi atë nëse do të dërgonin përforcime.

Afrin, do të jetë një “çerdhe nga e cila ushtria turke do të dalë vetëm pasi tëvuajë humbje të mëdha”, tha një deklaratë nga Forcat Demokratike të Sirisë, një grup ombrellë i dominuar nga YPG./Lajmi.net/