Erdogan i hakmerret ShBA-së

Lira, valuta e Turqisë, ka humbur më shumë se 40% të vlerës së saj gjatë këtij viti, duke rënë në nivelin më të ulët ndonjëherë.

Bota

14/08/2018 21:56

Gjatë ditës së sotme lira ka filluar të rikthehet, duke u ngritur rreth 5 % brenda një dite.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se Turqia është cak i një lufte ekonomike, dhe ka ripërsëritur kërkesën e tij ndaj turqve që të shesin dollarin dhe euron e të blejnë lirën për të stabilizuar vlerën e saj.

“Ne do të bojkotojmë produktet elektronike të Shteteve të Bashkuara. Nëse ata kanë iPhonët, ekziston Samsungu në anën tjetër, dhe ne kemi edhe kompaninë tonë Vestel”, ka deklaruar Erdogan në një fjalim për partinë e tij.

Gjatë javës së kaluar Washingtoni i ka rritur tarifat ndaj eksporteve të metalit nga Turqia.

Erdogan ka thënë se Qeveria e tij do të nxisë edhe më shumë kompani që planifikojnë të investojnë në Turqi, duke thënë se firmat nuk duhet të frikësohen nga pasiguria ekonomike.

“Nëse ne shtyjmë investimet tona, nëse ndërrojmë valutën tonë me valuta të huaja sepse ka rrezik, atëherë do të dorëzohemi para armikut”, deklaroi Erdogan./21Media