Elbasan, eksploziv në afërsi të një hoteli në unazën jugore

Një sasi e konsiderueshme lënde eksplozivi është gjetur në afërsi të lokalit të një hoteli në unazën jugore të qytetit Elbasan. Kanë qenë punonjësit e hotelit, që kanë pikasur një sasi lënde eksplozive të ngjashme me tritolin.

Lajme

29/05/2016 21:46

Ata kanë njoftuar menjëherë policinë, e cila ka shkuar në vendngjarje. Policia ka rrethuar zonën përreth dhe ka njoftuar ekspertët antieksploziv. Ende nuk dihet se kur është vendosur lënda eksplozive dhe cili është qëllimi i saj.

Sipas policisë, lënda plasëse është gjetur e pashpërthyer. Të njëjtat burime cituan se eksplozivi nuk ishte me telekomandë apo i lidhur me elementë të tjerë për të kryer shpërthim në distancë.

Një nga pistat kryesore të ngritura nga grupi hetimor është edhe ai i hakmarrjeve të ndryshme. Për këtë qëllim, ata e lidhin çështjen me vendin ku u gjet lënda eksplozive dhe autorët e mundshëm që mund të kenë qenë objekt në atë zonë.

Nuk është deklaruar zyrtarisht që eksplozivi të ketë lidhje me hotelin aty pranë ndonëse ai mbetet pistë kryesore hetimi. Një nga supozimet është edhe fakti se autorët kanë dashur të kryejnë shpërthim për të shkaktuar dëme materiale ose për të frikësuar personat që kanë qenë si objekt. Megjithatë, deri më tani nuk ka një version zyrtar se cili është qëllimi i hedhjes së lëndës plasëse. /shekulli