Elbasan, 15 raste pickimi nga gjarpërinjtë, akrepi dhe Vejusha e Zezë

Arrin në 15 numëri i pacientëve të kafshuar nga gjarpri, të pickuar nga akrepi apo edhe nga merimanga e njohur si “Vejusha e zezë” në Elbasan.

Lajme

20/06/2016 14:01

Sipas mjekëve, deri më tani nuk janë regjistruar raste fatale. Disa nga pacientët kanë manifestuar ndërlikime serioze dhe është dashur ndërhyrja e specializuar e personelit mjekësor.

Shefi i anestezisë së repartit të reanimacionit, Artan Prifti, ka bërë me dije se muajin e fundit rastet kanë ardhur gjithnjë e në rritje.

“Me rritjen e temperaturave janë rritur rastet e kafshimeve nga gjarpërinjtë dhe pickimeve nga insektet. Deri më tani kanë mbërritur 15 pacientë të cilët kanë marrë mjekimin e nevojshëm. Ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Por disa prej tyre kanë manifestuar shenja të rënda të helmimit dhe janë trajtuar me serumin antivipera serume ndihmëse dhe antibiotikë”.

Sipas mjekut specialist rastet e pickimeve duhet të paraqiten sa më shpejt në qendrat shëndetësore dhe më tej në spital. “Pacientët duhet të paraqiten sa më shpejt në spital. Kemi konstatuar se mjaft pacientë i çajnë, i shtrydhin apo lidhin fort vendin sipër kafshimit apo pickimeve. Por kjo shpesh është e dëmshme pasi shoqërohet me efekte anësore. P.sh nëse ata e lidhin fort këmbën apo krahun rrezikojnë furnizimin me gjak të pjesës së shëndoshë e kështu rrezikojnë gangrenizim të indeve.

Pikë së pari ata duhet të paraqiten në qendrën shëndetësore në fshat e më pas të drejtohen për shërbim më të specializuar. Me kënaqësi konstatojmë se ndihma e parë e dhënë në këto qendra është mjaft e mirë. Pacientët janë trajtuar me serumin antivipera e më pas kanë ardhur në spital”.  Mjeku specialist shprehet se në të gjitha rastet pacientët duhet të paraqiten në spital pasi helmet e gjarpërinjve dhe insekteve janë mjaft të forta e mund të shoqërohen edhe me paraliza dhe nxjerrjen jashtë funksionit të organeve.

Tani eshte stina e pikut të punëve në bujqësi por edhe e daljes së gjarpërinjve nga foleja. Mjekët këshillojnë marrjen e masave për ruajtjen nga kafshimet duke përdorur çizme dhe pajisje të tjera mbrojtëse ose duke e studiuar mirë zonën ku punohet. infoelbasani.al