Edhe Trajkoviq frikohet se Asociacioni do t’i largojë institucionet paralele serbe

Kryetarja e partisë Nisma Europiane e Serbëve, Rada Trajkoviq ka thënë se serbët e Kosovës nuk mund të mbijetojnë pa lidhjen me Beogradin dhe institucionet e tij.

Lajme

09/01/2015 13:43

Trajkoviq në një prononcim për kanalin e dytë të RTK-së ka kërkuar vazhdim të funksionimit të institucioneve të Serbisë në Kosovë, si ato të fushës së shëndetësisë, arsimit dhe çështjeve sociale.

Duke komentuar deklaratën e kryetarit të Partisë Përparimtare të Serbëve në Kosovë dhe deputetit të Kuvendin e Kosovës, Nenad Rashiqit se formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, do të sjellë deri te shpërbërja e strukturave paralele serbe në Kosovë, Trajkoviq ka thënë se këtë asociacion, për momentin e sheh vetëm si emër.

Ajo është shprehur se nuk është në dijeni për statutin e këtij asociacioni. Ndërsa ka thënë se, me aq sa din, ky asociacion ka për qëllim që serbët të përshtaten me një sistem të ri institucional.

“E rëndësishme është të thuhet se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, nuk garanton integrimin e institucioneve serbe në sistemin e Kosovës dhe ka për qëllim mbijetesën e serbëve në hapësira të reja”, ka thënë Trajkoviq, transmeton lajmi.net.

Ish deputetja e Kuvendit të Kosovës ka kërkuar që ky asociacion të përfshijë të gjitha komunat me shumicë serbe, dhe jo vetëm ato në veri të lumit Ibër. (lajmi.net)