E bën për spital të dashurën dhe lëndon dy policë: Arrestohet kosovari
Krahas vajzës, e cila u desh të dërgohej për trajtim në spital, edhe dy policët pësuan lëndime aq të rënda sa që u desh ta ndërpritnin shërbimin për atë ditë dhe të paraqiteshin të sëmurë
Lajme
Të hënën, në stacionin hekurudhor Langebrücken, një i ri 19 vjeçar nga Kosova e ka rrahur të dashurën e vet 18 vjeçare. Por kur dy policë ndërhyjnë për ta shpëtuar vajzën, ai i godet edhe ata, duke u shkaktuar lëndime, shkruan baden-tv.com
Disa dëshmitare kishin parë rreth orës 10.35 se si i riu e kishte goditur me grushte vajzën e re, pastaj ia kishte zbathur këpucët dhe i kishte hedhur mbi shina, transmeton albinfo.ch. Ndërsa kur policët e alarmuar kishin dashur të shpëtonin vajzën nga dhuna e partnerit të saj, 19 vjeçari ishte bërë gjithnjë më agresiv kundrejt tyre.
Pasi që e kishin lidhur me pranga, ai u kishte drejtuar policëve sharje të rënda dhe kishte ofruar rezistencë të madhe. Vetëm me thirrjen e përforcimit, policët mundën ta neutralizojnë të riun dhe ta çojnë në stacionin policor.
Krahas vajzës, e cila u desh të dërgohej për trajtim në spital, edhe dy policët pësuan lëndime aq të rënda sa që u desh ta ndërpritnin shërbimin për atë ditë dhe të paraqiteshin të sëmurë, përcjell albinfo.ch.
Sulmuesi, i cili ka pasur tashmë disa herë të bënte me policinë, është vendosur në një qeli për t`u marrë në pyetje dhe i është marrë gjaku për kontroll.