Dyshohet se dy të rinj u paguan për vrasjen e policit Shemsi Gashi

Prokurorja e rastit, Fikrije Zejnullahu, ka thënë se dy persona janë arrestuar lidhur me vrasjen e policit Shemsi Gashi.

Lajme

27/03/2015 16:15

Por Zejnullahu nuk ka dashur të bëjë publike detaje të tjera në lidhje me këtë rast për shkak se, sipas saj, kjo do të mund t’i dëmtojë hetimet.

Jo zyrtarisht, Koha Ditore, mëson se dy të rinjtë janë paguar për të kryer vrasjen e policit nga dikush që ende nuk është konfirmuar. Dyshimi ka të bëjë me çështje të pasurisë. Këta dy persona janë marrë në pyetje, dhe pasi që u është treguar videoja e incizuar nga kamerat e sigurisë së një objekti të banimit, kanë pranuar vrasjen.

Këta dy persona pritet që nesër të dërgohen në Gjykatë për shqiptimin e masës së paraburgimit.

Polici Shemsi Gashi, u vra të martën rreth orës 07:00 të mëngjesit, duke shkuar në punë. Ai ishte pjesë e Departamentit kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit.