Dyshime se ish-kryeplaku i Manzës u vra nga një familjar

Ish-kryeplaku i fshatit Shkallë në Manzë mund të jetë vrarë nga një familjar i tij. 18 ditë nga krimi ndaj Mirosh Djaloshit, ekspertët kanë ngushtuar rrethin e të dyshuarve si autorë. Grupi hetimor rrëzoi pistën e konfliktit me të tjerë persona apo vrasjen për shkak të grabitjes. Dhe po ngre dyshime se autori mbetet njëri prej familjarëve të viktimës.

Lajme

05/04/2016 21:39

Këto pretendime të hetuesve vijnë pas zbulimit të konflikteve te vazhdueshme mes viktimës me të afërmit e tij për shkak të alkoolit. Por hetuesit kanë në dorë edhe deklaratat kundërthënëse të bëra nga bashkëshortja dhe djali i viktimës për vendndodhjen e tij pak orë para krimit.

Në këto rrethana investigimi, vëmendja kryesore e grupit hetimor është përqendruar tek konflikti në familje, duke përforcuar dyshimet, por pa mundur të sigurojnë prova të mjaftueshme për prangosjen e autorit mes tyre.

Trupi i pajetë i Mirosh Djaloshit u gjet në orët e para të mëngjesit të së premtes të 18 marsit, në rrugicën e oborrit të banesës. Policia konstatoi se 54 vjeçari ishte goditur disa herë me çekiç pas koke, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme./abcnews