Dyshime për 20 milionë dollarë vjedhje në Bankën e Shqipërisë

Hetimet për vjedhjen e Bankës së Shqipërisë duket se janë futur në një labirint edhe më të madh, ndërsa Prokuroria e Tiranës ka bërë gati një listë me detyra që do t’iu dërgohen oficerëve të Policisë Gjyqësore të Policisë së Tiranës për t’u ekzekutuar.

Lajme

29/07/2014 20:14

Bastisja e arkave të stokut me lekë, nga i arrestuari Ardian Bitraj, si dhe nga bashkëpunëtorja e tij, Mimoza Buriza, ku dëmi supozohet se shkon deri në 6 milionë dollarë, duket se nuk është e vetmja grabitje që mund të jetë bërë në magazinat e errëta të Bankës së Shqipërisë, raporton Shekulli.

Burime të policisë, thonë se nëse inventari kryhet me rigorozitet, ashtu siç është parashikuar edhe nga protokollet e kontrollit të bankës, sasia e parave të vjedhura mund të shkojë në shifra edhe më të larta. Burimet thonë se vjedhja mund të shkojë në shifrën e 20 milionë dollarëve, por që ende është një shifër që mbetet për t’u verifikuar dhe konfirmuar.

Burime nga grupi i hetimit, dyshojnë se vjedhjet e Bitraj është ndihmuar dhe nga persona të tjerë , të cilët dyshohet se mund të jenë të niveleve edhe më të larta. Ndërkohë, mësohet se Prokuroria dhe Policia kanë kërkuar nga të gjitha bankat e nivelit të dytë kontrollin dhe verifikimin e numrave serikë të kartëmonedhave, që duhej të kishin dalë nga qarkullimi, por që mund të jenë ende në qarkullim, apo që mund të gjenden në arkat apo kasafortat e bankave.

Në deklarimet e tij në polici, Bitraj ka thënë se dyshojnë që shifra reale kap vlerën e 20 milionë dollarëve përgjatë 4 viteve.

Pesë  ditë më parë auditi i brendshëm i Bankës së Shqipërisë, në momentin që ka tentuar të bëjë inventarizimin e parave që do të asgjësoheshin, ka konstatuar mangësi në pakot e mbushura me para. Në këtë kohë i dyshuari Ardian Bitraj ka pranuar se ka hapur kutitë duke marrë para dhe duke i mbushur ato me libra. Për këto vjedhje dyshohet si bashkëpunëtore edhe përgjegjësja e arkës, Mimoza Burizaj, gjithashtu e arrestuar me vendim gjykate.

Pas hetimeve të para dhe pas krijimit të një panorame mbi atë çfarë ka ndodhur në realitet në Bankën e Shqipërisë, dhe protokollin që duhej të ishte zbatuar nga hierarkia dhe autoritetet përgjegjëse për kontrollin dhe inventarizimin e Bankës, pritet që Prokuroria të hartojë edhe listën përgjegjëse të personave që duhet të thirren për të dhënë shpjegime në lidhje me rastin e vjedhjes së bankës.

Burime të Prokurorisë së Tiranës thanë mbrëmë se nuk përjashtohet mundësia që në listën e dëshmitarëve apo personave që kanë dijeni mbi rrethanat e hetimit të krimit, të jenë edhe zyrtarë të lartë të Bankës së Shqipërisë, drejtues të drejtorive që kanë në linjë kontrollin e stokut, apo të emisionit të Bankës apo edhe deri tek drejtuesit më të lartë e pse jo edhe Guvernatori, raporton gazeta Shekulli.