Dyfishohet numri i bujqve që kërkojnë grante nga shteti

Zyra e Divizionit të Miratimit që funksionon në kuadër të Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë është mbushur me aplikacione të bujqve që kanë konkurruar për të marrë mbështetje për projektet e tyre zhvillimore.

Lajme

19/04/2015 19:40

Kjo agjenci që funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, është dashur të punojë deri në orët e vona të mbrëmjes së të premtes për të përfunduar procesin e regjistrimit të bujqve, një pjesë e madhe e të cilëve kanë konkurruar në orët e fundit, raporton KTV.

Zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë kanë thënë se nga informacionet e para del se bujqit më së shumti kanë konkurruar në përpunim të prodhimeve bujqësore. Ai ka bërë të ditur se në bazë të dhënave preliminare numri i bujqve që mund të mbështeten me 20 milionë euro mund të tejkalojë 600.

Regjioni i Prishtinës prin për nga numri i bujqve konkurrues, me 562, i përcjellë nga regjioni i Prizrenit dhe i Mitrovicës. Zyrtarë të kësaj ministrie kanë bërë të ditur se kanë konkurruar edhe banorë nga veriu i vendit.

Nga 20 milionë eurot e ndara për investime në ekonomitë bujqësore, parashihet të ndahen 11 milionë euro për investime në përpunimin dhe tregtimin e prodhimeve bujqësore, 5 milionë euro në diversifikimin e fermave, 1.5 milion në zhvillimin e bizneseve, ndërkaq në masën e ujitjes së tokave bujqësore do të jepen 2 milionë euro.

Përqindja e mbështetjes së bujqve me fondet e kësaj ministrie sillet nga 10% deri në 55%.