Dy serbë akuzohen për vrasjen e 27 civilëve

Gjykata për Krime Lufte në Beograd ka ngritur aktakuzë ndaj dy ushtarakëve serbë për vrasjen e 27 civilëve gjatë luftës në Kosovë. Të akuzuarit Gavrilovic dhe Kozlina akuzohen se kanë bërë spastrim civil në fshatin Tërnje të Therandës gjatë vitit 1999.

Lajme

06/11/2013 13:53

Gjykata për Krime Lufte në Beograd ka ngritur aktakuzë kundër dy ushtarakëve serbë për vrasje të civilëve shqiptar në luftën e fundit në Kosovë.

Të akuzuarit janë: oficeri i Ushtrisë së Serbisë, Pavlo Gavrilovic (1965) nga Leskovci dhe nënoficeri Rajko Kozlina (1976) nga Begradi.

Të dy këta ushtarak akuzohen për vrasjen e 27 civilëve më 25 mars të vitit 1999, në fshatin Tërnje të komunës së Therandës, raporton agjencia serbe e lajmëve “Beta”.

Në këtë aktakuzë thuhet se:

“Gavrilovic dhe Kozlina, si pjesëtarë të Brigadës 549 të ushtrisë së atëhershme jugosllave, së bashku me disa ushtarë tjerë që për momentin janë të pa njohur, kanë vrarë 27 civil, banorë të fshatit Tërnje – në mesin e të cilëve kishte meshkuj të moshuar, gra dhe fëmijë”.

“Viktima më e re ishte një fëmijë 4 vjeçar”.

“ Gavrilovic, i cili ka urdhëruar sulmin ndaj civile në fshat, kishte mbledhur ushtarët e Brigadës së tij, në mesin e të cilëve ishte edhe Rajko Kozlina, dhe ju kishte dhënë urdhër me fjalët: ‘Askush nuk duhet të mbesë i gjallë’”.

Në bazë të kësaj aktakuze thuhet se, urdhri i tij kishte për qëllim spastrim të fshatit dhe vrasjen e banorëve të tij.