Dy fytyra të Prishtinës

Prishtina ka humbur shansin e shndërrimit në qytet evropian. Në përplasjen e ashpër ndërmjet krimit urban dhe trashëgimisë së vjetër, ku e para gjithnjë e më tepër ka zgjeruar terrenin, kryeqytetit kosovar i ka mbetur mundësi e vetme riterritorializimi, përkatësisht përmbushja e projektit Prishtina e Re, e cila tashmë është në fazën fillestare.

Lajme

19/04/2015 08:20

Prishtina, sidomos pas përfundimit të luftës, në vend të forcimit të një imazhi tamam të organizuar, formon dy fytyra skajshmërisht të ndryshme. Njëra është urbane në tentativë, e tjetra anarkike.

E para përfundon në sheshe. E dyta është kudo. Dhe kjo vërtetohet duke u nisur aty ku përfundon sheshi “Ibrahim Rugova”, njëri nga pesë sa janë në një hapësirë të vogël.

Pas shtatores së Ibrahim Rugovës, në rrugën kufitare të lagjes “Qendra” dhe “Dodona”, është një hapësirë që shfrytëzohet për parkim veturash, në të cilin nuk është hedhur as edhe një lopatë betoni. Ai parking është përballë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës dhe më pak se 50 metra nga objekti i Komunës së Prishtinës, ku e ka zyrën kryetari.

Në këtë hapësirë kishte diçka urbane e të trashëguar, por nën premtimin e autoriteteve komunale se do t’u jepnin më shumë, banorëve që po jetonin e po vepronin me bizneset e tyre aty, u ishin rrënuar objektet e banimit dhe bizneset, shkruan gazeta “Diela me Koha Ditore”.