Drogë shqiptare në Itali, kapet gomonia me 170 kg kanabis sativa
Rikthehet trafiku i lëndëve narkotike nga Shqipëria për në Itali me gomone. Mjeti lundrues me 170 kilogramë kanabis sativa është zbuluar nga një helikopter gjerman që është i përfshirë në operacionet për shpëtimin e klandestinëve nga Afrika për në Europë.

Lajme
Helikopteri kishte vërejtur mjetin lundrues dhe ka njoftuar menjëherë autoritetet e bregut në Leçe. Këta të fundit kanë nisur një tjetër helikopter dhe motovedeta drejt gomones.
Por dy skafistët shqiptarë që ndodheshin në mjetin lundrues, e kanë hedhur drogën në det, e cila ishte e ndarë në pako të mbështjella me celofan.
Pasi kanë hedhur drogë, skafistët e kanë kthyer gomonen dhe janë nisur drejt brigjeve shqiptare. Sipas policisë italiane, për kapjen e skafistëve është njoftuar policia shqiptare, e cila nuk ka dhënë informacione në lidhje me këtë ngjarje.
Ndërkaq droga e gjetur në det është sekuestruar nga ana e Guardia di Finanza e Barit. Pas gjetjes së drogës policia italiane ka njoftuar kolegët shqiptarë të cilët sipas medias së qytetit të Leçes kanë nisur hetimet.