Donald Hoxha, piloti i dashuruar me helikopterin që i mori jetën (Video)

Donald Hoxha, togeri që humbi jetën në aksidentin ajror me helikopterin ushtarak, ishte një nga pilotët e rinj që pasion më të madh kishte fluturimet.

Lajme

06/04/2016 20:34

Çdo pjesë e kujtimeve të tij lidhet me helikopterët dhe fluturimet. Përveç fotos me njerëzit e tij më të afërt, për Donaldin helikopteri ishte dashuria e tij më e madhe.

Çdo foto, edhe ato që ka realizuar në Paris janë nga lartësitë e këtij qyteti. Në njërën prej tyre ai pozon pranë helikopterit “EC 145” i prodhimit francez, pak ditë para se mjeti luftarak të bëhej pjesë e flotës ajrore të ushtrisë shqiptare.

Entuziazmin për mjetin e ri ai nuk e fshihte aspak ndërsa komentonte në faqen e tij në Facebook se, kishte shitur makinën e tij tip “Ford” dhe kishte blerë këtë helikopter.

I dashuruar me ajrin, shumë i ri në moshë, piloti nga Kuçova i diplomuar në Universitetin Federiku i Dytë në Napoli, kishte fituar gradën e togerit dhe bashkë me kolegun e tij, kapitenin Florian Deliaj po kryenin një fluturim stërvitor me helikopterin e ri që morën në dorëzim nëntorin e vitit të kaluar.

Ky mjet ishte në shfaqjen ajrore që u dha pak ditë më parë në Tiranë nga ushtria shqiptare dhe reparti i Shigjetave të Kuqe, për 7-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

YouTube player