Do ta përmbys rezultatin në Pejë

Kandidati i AAK’së për Kryetar të Pejës, Ali Berisha, thotë se në balotazh rivali i tij Gazmend Muhaxheri do ta ketë të humbur garën.

Lajme

11/11/2013 08:18

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për Kryetar të Pejës, Ali Berisha, paralajmëron zyrtarizim të shpejt të koalicionit me Degën e Partisë Demorkatike të Kosovës në këtë qytet, në mbështetje të kandidaturës së tij.

Berisha ka thënë për Epokën e Re  se koalicioni mes AAK’së dhe PDK’së do të jetë i natyrshëm sepse elektorati i këtyre dy partive është shumë i afërt.

“Elektorati i AAK’së dhe PDK’së vazhdimisht ka qenë i afërt. Ju e dini se një pjesë e madhe e bartësve të funksioneve të PDK’së dhe AAK’së kanë qenë pjesë aktive e luftës së UÇK-së. Në këtë drejtim bashkëpunimi me PDK’në është shumë i mundshëm”.

Duke folur për kundërkandidatin e tij të LDK-së, Berisha ka thënë se në balotazh ai do ta ketë të humbur garën.

Berisha ka thënë për Epokën e Re se  me një angazhim më të madh dhe me një mbështetje më të fuqishme më 1 dhjetor do ta përmbysin rezultatin e 3 nëntorit në Pejë.

“Besoj se me një angazhim të madh të strukturave, të kandidatit për kryetar dhe një mbështetje më të madhe edhe nga niveli qendror ky rezultat do të përmbyset më 1 dhjetor”.

“Do të shihni se ky rezultat do të ndryshojë sepse vullneti i qytetarëve është për Aleancën”.

Ali Berisha ka thënë se për shkak të neglizhencës AAK’-ja është radhitur e dyta me vota në Pejë, duke besuar në elektoratin e saj dhe në punën që është bërë gjatë qeverisjes në këtë komunë.