“Do ta humbim tregun e Kosovës nëse shpejtë nuk hiqet taksa”

Pronari i korporatës Hemotehna nga Sutobica, Radovan Mijatoviq ka thënë se prodhuesit serbë do ta humbin tregun e Kosovës nëse vazhdon masa e tarifës prej 10 për qind për mallrat e importuara nga Serbia.

Lajme

16/11/2018 09:31

Prodhuesit serbë vazhdojnë të shfaqin pakënaqësitë e tyre ndaj vendimit të autoriteteve të Kosovës për rritjen e tarifës në 10 për qind për mallrat e importuara nga Serbia.

Pronari i korporatës Hemotehna nga Sutobica, Radovan Mijatoviq ka thënë se prodhuesit serbë do ta humbin tregun e Kosovës nëse kjo e fundit nuk e heq vendimin për rritje të taksës.

Nga hyrja në fuqi e vendimit, mallrat e importuara nga Serbia janë përgjysmuar , ka bërë të ditur drejtori i doganës së Kosovës, Bahri Berisha, transmeton lajmi.net. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk e ka përjashtuar mundësinë e rritjes edhe më të madhe të taksës për mallrat e importuara nga Serbia.

Kurse, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në takimet e rëndomta të CEFTA-s në Prishtinë më 20 dhe 21 nëntor. “Tani është situata tri herë më e keqe se para një viti, kur një masë e ngjashme ishte në fuqi për miellin”, deklaroi Mijatoviq për “Beta”.

Qeveria e Kosovës të dielën e shkuar ka vendosur për rritjen e taksës për të gjitha mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina me arsyetimin se në këtë mënyrë do të mbrohet interesi i prodhuesve vendorë sepse nga këto dy shtete shumë më tepër importohet se sa që ka eksport, transmeton lajmi.net.

Mijatoviq ka thënë se duhet “ndarë politikën nga prodhimtaria në mënyrë që mos të shkohet prapa”.

“Jemi duke e humbur seriozisht tregun”, theksoi ai.

Mijatoviq ka njoftuar se Hemotehna nuk ka transportuar në Kosovë ambalazhë për lëndë kimike dhe industri të cilën prodhon sepse blerësi llogarit edhe shpenzimet shtesë dhe analizon ndikimet që mund të ketë rritja e çmimit të mallit.

“Partneri ynë nga Kosova ka thënë se Hemotehna duhet t’i zbres çmimet e ambalazhimit në raport me taksën e vendosur dhe në këtë mënyrë t’i hedh shpenzimet tek prodhuesi”, tha Mijatoviq. Ai shtoi se vlera e eksportit të fabrikës në Kosovë ka qenë rreth 50 mijë euro, kurse plani ishte që të rritet.

“Për shkak të taksës shtesë, fabrika jonë për 50 mijë euro eksport do të duhej të paguante 5000 euro, është e pamundur”, theksoi Mijatoviq. /Lajmi.net/