Ditman: Gjermania asnjëherë nuk ka kërkuar nga Serbia ta njohë Kosovën

Ambasadori gjerman në Serbi, Aksel Ditman, ka deklaruar se Gjermania asnjëherë nuk ka kërkuar nga shteti serb njohjen e Kosovës dhe as nuk ka parashtruar kushte të reja për Serbinë, në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.

Bota

20/10/2015 14:10

Ditman, i cili po merr pjesë në konferencën “Negociatat e pranimit dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, që po mbahet në Beograd, ka thënë se vendi i tij e mbështetë hapjen e kapitujve 35 dhe 32 deri në fund të këtij viti.

Ai shtoi se disa nga deklaratat e bëra gjatë javës së kaluar kanë shkaktuar ankth në Serbi dhe deklaroi se ishte mirë që kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, këtë fundjavë ka dërguar një mesazh të qartë se Serbia vazhdon integrimin evropian dhe dialogun me Prishtinën, po ashtu.

“Ne kemi përgatitur një projekt-dokument, i cili është në përputhje me kornizën e bisedimeve”, ka thënë ambasadori gjerman, njofton N1, transmeton Klan Kosova.